Drejtësia është luks për të pasurit. Dil nga resorti, shiko realitetin

spot_img
Advertisements

nga Rovena Cerka

Shqiptarët sot jetojnë në një klimë pasigurie të thellë, jo vetëm ekonomike por edhe juridike. Sot, thuajse në çdo familje shqiptare ka një histori padrejtësie, një luftë në dyert e gjykatave, një padi që zvarritet, një hetim që nuk fillon kurrë, një vendim që nuk ka lidhje me ligjin e së drejtës por me njohjet apo ndikime të tërthorta.

Një baba e ka djalin në burg, një nëne i është hequr fëmija nga krahët padrejtësisht, një fëmijë e ka babain pas hekurave me dënim maksimal, një grua ka urdhër mbrojtje dhe jeton nën një çati me dhubuesin, një familje lufton për një pronë me shtetin e një tjetër me fqinjin, e sa e sa raste të tjera që çdrejtësia shqiptare nuk i kupton.

Demokracia nuk ndërtohet me fjalë por me themelet e një drejtësie të pavarur dhe të ndershme.

Sa e ndershme është drejtësia shqiptare?

Një shëtitje në vatrat e sistemit të drejtësisë të mjafton për të kuptuar nivelin e saj. Role që nuk dallohen, prokurorë, gjyqtarë, OPGJ e avokatë që hanë në një kazan.

Një rreth i ngushtë interesash e kompromisesh në kurriz të njerëzve të zakonshëm.

Dosje që zvarriten me vite deri sa palët të lodhen e të heqin dorë, shqyrtimi i tyre nga njerëz “të dyshimtë” për nga integriteti, morali e formimi. Dosje me hetime të paplota, mungesë të provave të rëndësishme, shpërfillje e tyre në shumë raste, gjyqtarë që thonë “ç’rëndësi ka ajo provë” pa asnjë përgjegjësi profesionale a morale.

Dosje që nuk kthehen për plotësim hetimesh, pretenca të pakuptimta, vendime në konflik të hapur interesi, aq sa shpesh pyes veten: kjo drejtësi është në mbrojtje të fajtorëve apo të viktimave?

Fatkeqësisht, pavarësisht se me diploma masive juridiku, shqiptarët nuk janë juristë dhe nuk e kuptojnë ligjin, procedurën apo mënyrën e komunikimin me të fortët e kësaj drejtësie.
Kësisoj ata janë të pambrojtur duke e vendosur sistemin në avantazhin e përfitimit nga mosdija dhe frika.

Jo, jo drejtësi e paanshme por ÇDREJTËSI e hapur kundër shqiptarëve. Sistem që shkatërron besimin qytetar duke i drejtuar tek vetëgjyqësia.

Drejtësia është ajo që i mungon Shqipërisë. Themeli i shtetit dhe e drejta elementare për çdo qytetar.

Kur funksionon me raste, drejtësia NUK ekziston.

Latest articles

Related articles