PRAPASKENAT | Rama cakton Ballukun të analizojë strukturën e bashkisë Tiranë

spot_img
Advertisements

Një atmosferë e tensionuar ka karakterizuar takimin e dytë të drejtuesve të Bashkisë së Tiranës me Kryeministrin Edi Rama, të mbajtur në ambientet e Hotel Tiranës këtë të hënë. Takimi, i cili filloi me qetësi të pazakontë në pritje të sinjalit për transmetimin live, u shoqërua me një ndjesi ankthi, ndërsa Rama ecte në sallë i heshtur, duke vëzhguar të pranishmit të ulur “si mbi gjemba”.

Fjala hyrëse e kryeministrit e zbuti përkohësisht atmosferën, ndërsa pjesa më delikate e diskutimeve vijoi me dyer të mbyllura. Rama theksoi se, ndonëse zgjedhjet vendore janë ende larg, situata e paprecedentë e Tiranës – me kryetarin Erion Veliaj nën arrest shtëpie – e bën të paparashikueshëm drejtimin e mëtejshëm të bashkisë më të madhe në vend.

Pas fjalës së tij, Rama lajmëroi se diskutimet do të vijonin nën drejtimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në prani të ministrave të kabinetit qeveritar. Një njoftim që, sipas burimeve, solli rikthimin e tensionit në sallë, për shkak të perceptimit të përplasjes së heshtur mes Ballukut dhe Veliajt – një rivalitet që të dy e kanë mohuar publikisht.

Fillimisht, drejtuesve të qarqeve iu komunikua se mund të largoheshin, pasi fokusi do të mbetej te Tirana. Por përpara daljes, ata u udhëzuan të organizojnë takime të ngjashme në bashkitë e qarqeve që drejtojnë, sipas modelit të kryeqytetit.

Ogerta Manastirliu, drejtuese politike e qarkut Tiranë, foli me tone të moderuara, duke pranuar se kishte vend për përmirësime në shërbimet publike. Por pas saj, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku zgjodhi një qasje më të drejtpërdrejtë, duke theksuar se “nuk ishte aq elegante sa kolegia e saj”.

Ajo solli në vëmendje përvojën e saj të mëhershme në Bashkinë e Tiranës dhe nënvizoi se “problemet duhen nuhatur që në ajër”. Balluku kritikoi hapur situatën e shërbimeve, duke shtuar se “ato nuk mund të mungojnë sepse ndonjë zyrtar druhet për këtë apo atë arsye”. Ajo gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit mes Bashkisë dhe institucioneve qendrore, me shembuj konkretë si çështja e dixhitalizimit dhe koordinimi institucional.

Latest articles

Related articles