Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se liria e Europës po përballet me kërcënimin më të madh se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në një fjalim para forcave të armatosura në Paris, ai tha se po jetojmë në një moment kyç për shkak të gjeopolitikës komplekse.
Macron bëri thirrje që shpenzimet e mbrojtjes së Francës të rriten me 3.5 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe më pas me 3 miliardë euro të tjera në 2027. Duke iu referuar kërcënimit nga Rusia, ai denoncoi “politikat imperialiste” dhe “fuqitë aneksuese”.
Luftimet janë zhvilluar që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Macron u zotua të dyfishojë buxhetin ushtarak të Francës deri në vitin 2027, tre vjet më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.
Në vitin 2017, buxheti i mbrojtjes së vendit të tij ishte 32 miliardë euro dhe sipas planeve do të rritej në 64 miliardë euro në dy vjet. Propozimet ende duhet të miratohen nga qeveria franceze.
“Që të jesh i lirë në këtë botë, duhet të ngjallësh frikë. Që të ngjallësh frikë, duhet të jesh i fuqishëm”, tha ai në fjalimin në prag të Ditës së Bastiljes.
Macron tha se bota po dëshmonte kthimin e energjisë bërthamore dhe “përhapjen e konflikteve të mëdha”.
Ai gjithashtu iu referua bombardimeve të SHBA-së ndaj Iranit, luftimeve midis Indisë dhe Pakistanit dhe atyre që ai i quajti “ulje-ngritje në mbështetjen amerikane për Ukrainën”.
Muajin e kaluar, anëtarët e NATO-s ranë dakord të angazhohen të shpenzojnë 5% të PBB-së në vit për mbrojtjen, nga objektivi i mëparshëm prej 2%.
Mbretëria e Bashkuar njoftoi gjithashtu rishikimin e saj të mbrojtjes, me Sekretarin e Mbrojtjes John Healey që tha se do t’i dërgonte një “mesazh Moskës”.
Të premten, kreu i ushtrisë franceze, Thierry Burkhard, tha se Rusia e shihte Francën si “kundërshtarin e saj kryesor në Evropë”.
Kryeministri i Francës Francois Bayrou pritet të përshkruajë buxhetin e vitit të ardhshëm të enjten./BBC