Një 37-vjeçar, i identifikuar Ndriçim Sula, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për “mashtrim me pasoja të rënda”, është arrestuar në Tiranë krejt rastësisht.
Sula u ndalua këtë të hënë nga Policia Rrugore e Tiranës duke përdorur celularin gjatë drejtimit të makinës.
Por pas verifikimeve, rezultoi se Ndriçim Sula ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle, si pjesë e organizatës kriminale të Amant Josifit, për mashtrim me “Call-Center”-a.
Më konkretisht, 37-vjeçari akuzohet si pjesë e grupit të Amant Josifit, i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga disa shtete për mashtrim me dëm 2.4 miliardë euro nëpërmjet “Call-Center”-ave.
Aktualisht Josifi dyshohet se është arrestuar në Dubai, ndërsa më parë Josifi ka punuar si këshilltar i Olta Xhaçkës gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjykata e Seu de Urgell, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Pas arrestimit të Sulës, policia tha se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës.