Edjona Dano është emëruar si shefja e re e Komisariatit të Policisë në Kuçovë, duke u bërë një nga gratë e para që merr një pozicion të tillë drejtues në këtë nivel, pas hapjes së garës për shef komisariati. Emërimi i saj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjinore dhe njohjes së rolit kyç që gratë luajnë në forcat e rendit.
Me një karrierë të ndërtuar mbi profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, Edjona Dano shihet si një figurë frymëzuese për shumë vajza dhe gra që aspirojnë pozita drejtuese në strukturat shtetërore.
Dano ishte e vetmja grua që garoi për shef komisariati dhe u shpall në listën fituese, si dhe u kualifikua fituese edhe mes 290 garuesve që synonin në fund të vitit të kaluar për të qenë shefa komisariatesh.
Së fundmi Dano mbante detyrën e Shefe Seksioni për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës.
Ndërsa më herët ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr.6 Tiranë.
Gratë në polici
I konsideruar gjithmonë si një detyrë e burrave, pozicioni i shefit të komisariatit në polici nuk është më i tillë. E para grua që theu mitin ishte Anila Popa disa vite më parë në krye të komisariatit të Librazhdit. 9 gra shfaqën interes për pozicionin e shefes së komisariatit nga 290 emra kandidatësh, të cilët garuan për 48 pozicione në të 12 drejtoritë e qarqeve.
Alda Prela, shefe e Kartotekës Kriminale në Policinë e Lezhës dhe Edjona Dano, shefe e Krimeve në Komisariatin nr. 6, aplikuan për pozicionet më të larta. Më tej, lista e grave konkurrente për shefe komisariati vijon: Amarilda Shabani, Enerjeta Aliaj, Ermonela Matuka, Geralda Mançellari, Nadire Gjinali, Nertila Meta dhe Vera Vasia. Aplikimi i grave për poste të larta në Policinë e Shtetit vjen si një strategji e bluve për përfshirjen e tyre në rolet më të larta.
Gazetarja që ndryshoi profesion
Edjona pak kohë më parë tha se e zgjodhi policinë, ndonëse ka studiuar për gazetari, sepse e kishte pasion. “Edhe pse kam studiuar gazetari. Kam punuar 1 vit në televizion. Eksperienca në gazetari më ndihmoi në rrugën time për tu bërë police”, thotë policja.
Dano tregoi se gjithmonë ka pasur ndjesinë e të mbrojturit të tjerët, e për të ndërhyrë në konflikte, për t;i zgjidhur.
“Gjithmonë në shkollë kisha ndjesinë të mbroja nxënësit, që ngacmoheshin nga të tjerët. Gjithmonë ndërhyja në konflikte.
Si figurë kam pasur idol një punonjës policie në zonën time. E shikoja si figurë shumë serioze shumë të rregullt”, shprehej ajo.
Ajo shton se ka aplikuar për në policia, kohën kur po mbronte diplomën për gazetari.
“Gazetaria ka qenë dega që kisha për zemër. Kur po jepja mbrojtjen e diplomës njëkohësisht aplikova për në polici.
Fillimisht doja të studioja, pastaj të angazhohem në polici“, shprehet Edjona.
Ndër të tjera ajo thotë se gratë mund të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në polici.
“Mund të bësh një karrierë në polici. Ka shumë shembuj, që kanë dhënë impakt pozitiv te ne.”
Përveç se police Edjona është bashkëshorte dhe nën e një vajzë 5-vjeçare.



