Refleksione mbi çmontimin e Shtetit – nga Zef Preçi

spot_img
Advertisements

Morrën erë strategjitë për të larguar erën e keqe të korrupsionit dhe kapjes së shtetit, qeveria shpiku Korporatën Shqiptare të Investimeve. Avazi vazhdon…

Morrën erë lojrat e fatit për evazion fiskal, korrupsion, përfshirje të familjarëve të politikaneve e zyrtarëve të rëndësishëm të administratës; u shpik mbyllja e tyre dhe rikrijimi me “njerëzit tanë”… Avazi vazhdon…

Morrën erë bashkitë për sistemin “5D” të grabitjes me “rregulla loje” të buxhetit të shtetit dhe shkëmbimin e favoreve grabitqare midis kryebashkiakëve, banditëve, deputetëve dhe biznesmenëve të krijuar enkas për t’u përfshirë në politikë; u shpik dorëheqja kolektive e drejtoreve bashkiakë me “urdhër ditë”. Avazi vazhdon me patronazhistët e rinj që postet i kanë trofe për zgjedhjet e fundit. Avazi vazhdon…

Morrën erë investimet prej qindra milionë euro në ujësjellës-kanalizime që u kthyen në streha militantesh e hajdutësh me çizme, pa shtuar furnizimin me ujë të pijshëm, por vetëm çmimin për njësi; po shpiket një korporatë që zhduk gjurmët, duke përfshirë edhe projektin e ujërave të ndotura të Tiranës me fondin japonez… Avazi vazhdon…

Morrën erë lejet e ndërtimit të dhëna nga kryebashkiakët që nuk firmosnin në të thatë; u shpik fuqizimi i KKT, ku është lideri dhe disa buratina që as vetë nuk marrin vesh se çfarë firmosin. Kjo merret vesh vite më vonë kur të zbërthehen përgjimet e radhës nga shërbimet aleate. Avazi vazhdon…

Morrën erë lejet pushtuese, gjoja zhvillimore për turizmin, dhe publiku filloi të zgjohet për të kuptuar se marrja në mënyrë të dhunshme e tokës e trojeve nga privatët për t’ua dhuruar klientëve të qeverisë; u shpikën zonat prioritare të turizmit, u shfuqizua ligji për zonat e mbrojtura, u shpik çfarë nuk u shpik deri edhe Paketa e Maleve… Avazi vazhdon…

Morrën erë inceneratorët; morën me vete prapa hekurave disa firmëtarë të pangopur për para që përqindjet korruptive të aksioneve i quajnë një të drejtë të ligjshme që buron nga posti; tani po shpiket një korporatë e re, mjafton që qyqarët qytetarët të harrojnë Elbasanin, Fierin dhe inceneratorin e Tiranës për të cilët do të paguajnë edhe gjatë 30 viteve të ardhshme. Avazi vazhdon…

Që ky avaz të ndalojë, duhet të zgjohet fatkeqi që shet votën për një thes miell, të çohet prapa hekurave banditi e pasunari që grabit pasuritë natyrore dhe buxhetin e shtetit, të depolitizohet administrata e rrënuar profesionalisht dhe moralisht, të bëhet i përgjegjshëm individi që dëshiron të jetojë në këtë vend… Deri atëherë? Ushqehuni me propagandë 24/24 mbi “reformat” që fshehin dështimet e qeverisjes dhe vazhdojnë eksperimentet e dhimbshme mbi familjet shqiptare

Latest articles

Related articles