Gazetari Ilirjan Agolli, i ftuar në studion e News 24, ka komentuar lirimin e hapësirave publike, një aksion që është ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama.Agolli tha se e gjitha ngjan si fushatë dhe aksione blic, por nuk sheh rezultate domethënëse në periudhë afatgjatë. Ai më tej shtoi se ‘turi’ në mes të sezonit turistik ka një impakt jo të mirë.
“Kjo ngjan si një fushatë zgjedhore, që synon efekte në këtë periudhë turistike. Rama ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit vendor. Pushteti vendor ka shumë probleme në fakt, por nuk është kjo zgjidhja. Nuk kuptova pse Rama bëri tur në Vlorë dhe në Fier, dhe përdori një “fushatë” me dialektin gegë “S’ka më tokë e xanun”. Turi në mes të sezonit turistik, nuk ka impakt të mirë tek turistët. Problemet e menaxhimit të jetës qytetare në Shqipëri janë shumë më të thella sesa të lirohen disa hapësira të lira. Besoj se do jetë një fushatë blic, mjerë kujt i bie lapsi që t’i prishet lokali. Nëse duan të ndihmojnë pushtetin vendor, duhet ta ndihmojnë me mjete ligjore, që zyrtarët vendorë të punojnë më mirë. Një zgjidhje mund të jetë ajo që ka ndodhur në diktaturë ose në kohën e Ahmet Zogut, kur zyrtarët lokalë ishin nga krahina të ndryshme, jo domosdoshmërisht nga ajo krahinë, pasi kjo zhduk korrupsionin në komunitete të ngushta”, tha Agolli.
Më tej, Ilirjan Agolli shtoi se qeveria e Ramës që do nisë punë në shtator duket se ngjan me qeveritë e mëhershme me Edi Ramën kryeministër, ku të gjithë ministrat mund të ndryshojnë, përpos se të parit të qeverisë. Agolli nënvizoi se në këtë legjislacion, shumë ligje shqiptare duhet të afrohen me ligjet e vendeve të BE-së.
“Ka kohë që nuk ka rëndësi më emri i ministrave dhe gjinia e tyre. Qeveria ka një emër e ajo është qeveria Rama. Është në tagrin e kryeministrit, që të zgjedhë kë të dojë ai. Ajo që shikojmë është se qeveria riciklohet vazhdimisht, ndërsa kryeministri nuk ndërrohet. Ligjet tona do përafrohen me ligjet e BE-së dhe parlamenti duhet t’i kalojë në korpusin e legjislacionit shqiptar. Sa i përket pushtetit vendor, mund të merren modele të suksesshme që janë në Europë, prsh një rajon mund të qeveriset si Roma, si Firenze etj. Duhen programe edukimi afatgjata për pushtetin lokal. Në Europë, një bisht cigareje nuk e hedh kush në trotuar, duhet edukim dhe në Shqipëri”, deklaroi Agolli.