Pamjet e kësaj të moshuare, kur këtë të hënë kërkonte të bisedonte me kryeministrin Edi Rama në Vlorë, u bënë virale në rrjet.
Katina Thanasi, e cila ngulmoi dhe ia arriti të bisedonte me Ramën gjatë kohës që kryeministri ishte në Vlorë për inspektim në kuadër të lirimit të hapësirave publike.
Katina thotë se Rama i tha “çfarë ke që bërtet” dhe më pas ajo i shpjegoi problemin e kanalit pranë banesës së saj, i cili duhej pastruar.
“Jam Katina Thanasi, jam 82 vjeçare. Doli Rama, unë isha atje, më rrethuan policët se s’donin të më linin të takoja Ramën. Unë i thashë do ta takoj. Shty ata policët, shty unë dhe ata duke më shtyrë mua. Përplasja me ta ishte e vështirë. Më thanë do të arrestojmë. I thashë: ‘S’më arrestoni dot, se s’kam bërë ndonjë gjë. Nuk kam vjedhur, s’kam bërë ndonjë gjë.’ Ishte një police vajzë dhe pesë të tjerë. Shty ata mua, shty unë ata. Rama ikte poshtë, i thashë: ‘Rama, mos ik se të dua! Mos ik se të dua për kokë të djalit’, kështu i thashë. Këta më shtynin mua, Rama qëndroi aty në anë. Policët më mbanin, ndërsa unë i shtyva. Rama më tha mua: ‘Pse bërtet?’ I thashë: ‘Po bërtas për këta’. I thashë Ramës, ky kryetari i bashkisë që rrin me ty… Kam dy vjet e gjysmë që i them për pastrimin e kanalit dhe të tokës dhe ky nuk vjen. Kam shqetësim që të më pastrohet kanali dhe toka,” tha ajo.
Katina thotë se këtë problem më parë ia kishte parashtruar kryetarit të bashkisë dhe për gati dy vjet e gjysmë nuk ishte marrë asnjë masë
“Unë kam vajtur te kryetari, e takova dhe më krehu dorën kështu. Problemi kanalit të madh… Hedhin qen të ngordhur, mushkonjat të hanë se vijnë prej kanalit. S’kanë vënë një kazan të hedhin mbeturinat, mileti. Atë i thashë: ‘Vini një kazan se njerëzit janë të papërgjegjshëm. Shqiptarët i hedhin në kanal, po s’po vënë dorë.’ Unë e takova Ramën, po merakun s’e kam hequr akoma sa të pastrohet kanali. Merakun do ta çoj deri në fund. Nëse nuk vijnë këtu, më kanë atje nesër. Për kokë të djalit, që në mëngjes, në orën 8–9 jam atje, nëse nuk do vijnë,” thotë 82-vjeçarja./Euronews



