nga Reldar Dedaj
Për Bashkinë Roskovec është shkruar dhe vazhdon të shkruhet. Asnjë bashki tjetër kaq e vogël në Shqipëri nuk ka një opinion publik kaq të dyzuar, siç e ka ky qytet në realitet dhe në media. Ata të rrallë që e vizitojnë për herë të parë kanë dëshirë të bëjnë pohimin klishe: Para se të vija në Roskovec, kisha dëgjuar për specin e famshëm djegës. Dikur, ai spec përfaqësonte krenarinë, traditën, aromën e vërtetë të vendit. Sot, ai është metafora e votës së konsumuar pa shije, e demokracisë që digjet në heshtje, e një sistemi që është kapur nga thundra e pushtetit dhe, përmes kapjes, shkatërron jo vetëm shtetin, garën dhe të ardhmen, por edhe më shumë se kaq: varros edhe vetë demokracinë.
Zegjine Caushi, një emër në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, u zhvendos si një spec nga furra në tokë, jo nga vullneti i qytetarëve, por nga duart që përziejnë listat si turshi në kavanoz. Kur qytetarët votojnë, ata ndihmojnë për të kuruar sëmundjen e mosangazhimit publik, por edhe dëshpërimin që na rrethon, pesimizmin dhe cinizmin që e shoqëron këtë sëmundje. Kur votojnë, ata bëhen qytetarë më të shëndetshëm dhe më të fuqizuar. E për rrjedhojë, vota në kuti nuk është thjesht përfaqësim i qytetarit në vendimmarrje, por është akt për mbijetesën e demokracisë — ashtu siç është oksigjeni për frymëmarrjen dhe jetën.
Në zgjedhjet e 11 majit, Roskoveci zbuloi varrin e demokracisë shqiptare. E theksojmë: varrin e demokracisë shqiptare. Sepse manipulimi zgjedhor pati aftësinë të zhvendosë emra në listën e kandidatëve për deputetë brenda Partisë Socialiste. Me hapjen e kutive në Fier, pas vetos së dy anëtarëve të KAS, i vetmi ndryshim që solli numërimi ishte zhvendosja e emrave në listën e PS, nga Zegjine Caushi tek Maldrita Bardho. Kjo e fundit, pas rinumërimit, i mori mandatin Zegjines me vetëm 10 vota diferencë. U desh vizita e beftë e Kryeministrit në Fier që Bardho të tërhiqej nga kandidimi për t’ia lënë mandatin e deputetes Zegjines së Roskovecit. Por qytetarët kanë votuar për Bardhon dhe jo për Zegjinen. Në fund të fundit, jemi apo nuk jemi në një demokraci përfaqësuese, si rezultat i listës së hapur? Pse ky shkatërrim kaq flagrant i ligjit, i shtetit dhe i Kushtetutës? Çfarë po ndodh me ne?
Të thuash këto, do të thotë të pranosh me hidhërim se Edi Rama, qoftë si Kryeministër i vendit, qoftë si Kryetar i PS-së, nuk zbaton më asnjë rregull. Aty askush nuk votohet, askush nuk zgjidhet, askush nuk zgjedh dhe askush nuk mbledh. Ai ka vetëm pushtet. Ka zgjedhje, por s’ka votë. Ka qeveri, por s’ka ligj. Ka institucione, por s’ka drejtues. Ka qytetarë, por s’ka punë. Ka garë, por s’ka meritokraci. Ka frikë edhe pse s’ka dhunë. Ka dhimbje pa dajak dhe dajak pa dhimbje. Ka gjithçka dhe gjithçka e shpërndan.
Në vitin 2016, në Austri, u përsëritën zgjedhjet presidenciale për shkak të dy gabimeve formale. Në njërën qendër, komisionerët kishin hedhur firmën para mbylljes së qendrës, ndërsa në tjetrën ajo ishte mbyllur paraprakisht, në orën 13:00, sepse ishte një vend i vogël dhe nuk prisnin më votues. Për shkak të këtyre dy gabimeve, Austria përsëriti zgjedhjet në nivel kombëtar. Mesazhi ishte i qartë: askush nuk ka të drejtë të cënojë demokracinë. Ajo është e shenjtë.
Ndërsa procesi zgjedhor në Shqipëri vazhdon të sakatohet nga një palë zgjedhje në tjetrën, ne, qytetarët, jemi të detyruar të shohim përditë ngritjen e sistemeve kuazidemokratike, ku mbi gjithçka tjetër mbretëron fasada e demokracisë dhe pluralizmit. Autoritarizmi në këto rrethana është më i vështirë të identifikohet, sepse pushteti nuk vret, nuk persekuton aktivisht. Mediat lejohen të shprehin mendime kundër, shoqëria civile gjoja bën punën e saj si mbikëqyrëse, ndërsa shtyllat e pushtetit duken të ndara. Por pikërisht kjo normaliteti i rremë i përditshmërisë e bën pushtetin më perfid në kapjen e shtetit, duke abuzuar me rregullat e lojës demokratike. Edi Rama po luan pikërisht këtë lojë. Shqipëria, pas 35 vitesh pluralizëm, nuk është imune ndaj kësaj loje; në fakt, ajo ndodhet thellësisht në kategorinë e kapjes së shtetit, pa qenë asnjëherë një demokraci e konsoliduar.
Logjika të shtyn të pyesësh: me çfarë po merren kundërshtarët e Ramës, ndërkohë që i shohim të lëvizin në bordin e anijes në emër të luftërave për pushtet brenda grupit? Luftëra mes grupeve, hedhje faji, pazare me fitimtarët, dalje mediatike, takime me ambasadorë — por asnjë ndjesi për përdhunimin që iu bë demokracisë, asnjë analizë serioze, komplekse, historike dhe vetëkritike që të shpjegojë si arritëm deri këtu, çfarë provuan e çfarë rrëzuan këto zgjedhje, çfarë duhet korrigjuar dhe në çfarë drejtimi.
Metaforikisht, konstatohet një miopi në dy drejtime: Së pari, një kopje e miopisë së fitimtarëve, që i pengon të shohin nga jashtë anijes ku kanë hipur mbi gjendjen dhe trajektoren. Së dyti, më rëndësishme, është fjala e Zegjines së Roskovecit në Kuvend, që komentoi grabitjen e mandatit të deputetes me urdhër të Edi Ramës si një akt që sakaton demokracinë dhe vullnetin e lirë të qytetarit.
Ndërkohë, Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare, po rrëshqet dalëngadalë drejt një debati të thatë: kush do e drejtojë atë dhe jo kush do e drejtojë vendin. Edi Rama, bashkë me veglat e tij mediatike, po investon çdo ditë në këtë ide dhe nuk janë të paktë ata që e ndihmojnë, madje edhe vetë demokratët. Të merresh me çështjen se kush do ishte më i aftë t’i marrë drejtimin Sali Berishës për katër vitet e ardhshme, dhe jo me drejtimin dramatik që po ndjek anija, do të thotë të mos kuptosh asgjë ose, edhe më keq, ta kuptosh dhe të bësh sikur nuk kupton për interesa meskine.
Debati dhe projektet që duhen zhvilluar sot në kampin opozitar nuk janë se kush do e marrë timonin për katër vitet e ardhshme, por se çfarë duhet bërë ditë për ditë, duke filluar nga dje, për t’i rezistuar një politike kriminale dhe të strukturuar, që ka shkatërruar jo vetëm shtetin ligjor, por edhe çdo premisë për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë. Vetëm kështu mund të shmangen dy rreziqe që i kanosen anijes në këtë lundrim anormal dhe të rrezikshëm: mbytja e saj përfundimtare, ose kthimi i qytetarit në një gjendje depresive, ku, pa pasur më mundësi për korrigjim me votë, rrezikon nesër të kërkojë korrigjim me flakë.
Në Austri, dy gabime formale sollën rivotim. Në Roskovec, një emër u zhvendos si pa gjë të keqe. E gjithë Shqipëria e pa, e pranoi dhe heshti; duke harruar se speci më i djegës nuk është ai që të djeg gjuhën, por ai që të djeg ndërgjegjen.