Holandë, ndalimi i celularëve në shkolla e ka përmirësuar mjedisin social dhe mësimor

spot_img
Advertisements

Vendimi i qeverisë holandeze për të ndaluar përdorimin e celularëve gjatë mësimit në shkollë u prit me protesta fillimisht, por një studim i fundit tregon se ka qenë i duhuri, siç e reflektojnë edhe rezultatet e nxënësve.

Rekomandimi për ndalimin e telefonave inteligjentë nëpër klasa u dha në janar të vitit 2024 dhe thuajse të gjitha shkollat holandeze e kanë aplikuar. Gati dy e treta e shkollave të mesme në Holandë kërkojnë që nxënësit t’i lënë celularët në shtëpi ose brenda një dollapi të posaçëm në shkollë para se të fillojë mësimi.

Gjatë një sondazhi me drejtuesit e 317 shkollave të mesme, 313 shkollave fillore dhe 12 grupeve me mësues, asistentë, studentë dhe prindër, shkollat e mesme raportuan se fëmijët e kishin më të lehtë të përqendroheshin (75%) kur nuk i kishin celularët me vete, kishin një mjedis social më të mirë (59%) dhe disa raportuan edhe nota më të mira (28%).

Studiuesi Alexander Krepel nga Kohnstamm Instituut thotë se marrëdhëniet mes nxënësve janë përmirësuar ndjeshëm pas kësaj nisme.

Tani nuk është më e mundur që t’i bësh fshehtazi një foto dikujt në klasë dhe t’ia shpërndash në grupin WhatsApp. Pra, është rritur siguria sociale. Gjatë pushimeve, studentët rrinin me celularë në duar, ndërsa tani janë të detyruar të flasin me njëri-tjetrin. Ndoshta mund të ketë edhe zënka më të shpeshta, por shkollat, mësuesit, nxënësit duken të lumtur me atmosferën,” thotë Dr. Krepel.

Edhe në shkollat me nevoja të veçanta, ku aplikohen përjashtime për përdorimin e aparateve elektronike në ndihmë të mësimdhënies, gati gjysma raportuan se ndalimi i celularëve kishte pasur një efekt pozitiv ose shumë pozitiv. Efekti në shkollat fillore ishte më i pakët. /Guardian

Latest articles

Related articles