Vala e të nxehtit që ka prekur vendin tonë dhe pjesën më të madhe të Europës po sjell rekorde të reja edhe në kërkesat për ndihmë drejtuar 127-tës.
1.800 thirrje për ndihmë në ditë dhe rreth 500 vizita në 24 orë, janë këto shifrat që përcjell për RTSH kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
“Kemi aktualisht 400-500 vizita në ditë, që do të thotë 50 më shumë se sa kemi patur si dhe rreth 1800 thirrje ditore, ose 300 më shumë nga e zakonshmja”, tha ai.
Thirrje për ndihmë janë të shumëllojshme por ato më kryesoret janë: “nga virozat, gastroenteritet, krizat respiratore, pickimet që janë tipike të kësaj periudhe e deri tek gjendjet e lipotimisë ose të fikti në gjuhën e popullit”.
Problem shumë i madh paraqitet edhe lagështira që shkon mbi 60% në ajër
“Norma e lagështirës së ajrit është 40% – 60% që do të thotë sasia e avujve në ajër. Nëse është më e lartë ne kemi vështirësi që të eliminojmë energjinë që prodhojmë dhe duke na krijuar vështirësi , rritet temperatura jonë që ka të bëjë me goditjen ndaj të nxehtit të cilat na shkaktojnë dehidratim, marrje mendsh, dhimbje koke, shpesh herë konfuzion që nuk kuptojmë çfarë po themi e ku jemi. Në shumë raste ndikon edhe veshja”, tha Brataj
Por a kemi viktima nga i nxehti ?
“Është vështirë të japësh shifra të sakta për këtë e të thuash që këto viktima i kemi nga të nxehtit. Sigurisht grupet në risk si fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike i kanë mekanizmat aktivizues në fije të perit ndaj dhe mund të jenë pre e përkeqësimit të parametrave shëndetësore dhe patologjive. Fatalitetet nga i nxehti direkt janë përshembull një fëmijë i harruar në makinë apo një kafshë, siç ka ndodhur në vende të tjera”, theksoi Brataj.
Shefi i Urgjencës Kombëtare këshillon të evitohen daljet, aktivitetet fizike edhe për ata që janë të shëndetshëm si dhe të qëndrojmë të hidratuar.