SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë sekuestruar 4 milionë euro pasuri të organizatë kriminale në Elbasan që drejtohet nga Suel Çela dhe që vepronte në Verona të shtetit fqinj.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e zhvilluara në bashkëpunim nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), Guardia di Finanza dhe seksioni i hetimeve financiare në Verona, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive me vlerë mbi 4 milionë euro. Hetimi ka zbuluar se këto pasuri janë blerë dhe financuar me të ardhura të gjeneruara nga trafiku i kokainës nga Amerika e Jugut në Europë.
Aktualisht Suel Çela është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa vëllai i tij, Mario Çela, ndodhet në burg në Belgjikë, ku po vuan dënimin në lidhje me një vrasje mafioze në Antwerp.
Suel Çela ndodhet nën hetim nga SPAK për vepra penale të rënda, si vrasje me paramendim, mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.