Bllokimi i Parlamentit nga Albin Kurti

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Republikat parlamentare të modelit liberal e kushtetues kanë në themel konsensusin e palëve kundërshtare për të pasur disa institucione të përbashkëta, jo dominancën absolute apo pretendimet e njërës parti për të pasur pronësi të plotë mbi shtetin. Kështu janë modeluar këto lloj republikash.

Gustavo Zagerbelski fjalavjen, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Italisë, para disa vjetësh pati mbajtur një referat ku thoshte se çka e dallon republikën nga jorepublika është natyra konsensuale që republika ka. Pa konsensus midis palëve, pa jetë konsensuale, nëse palët nuk njohin legjitimitetin e njëra-tjetrës, ska republikë.

Në ketë frymë: Kur partia e parë nuk i ka numrat bindës për ta zgjedhur ajo vetë kryetarin e parlamentit nga radhët e saj, partia e parë përzgjedh një politikan konsensual i cili ka pëlqimin edhe të partive të tjera dhe, kuvendi konstituohet. Ose nëse nuk preferon kështu, shkohet përsëri në zgjedhje brenda 60 ditëve.

Albin Kurti kërkon t’i imponojë opozitës një politikane thellësisht partiake, duke mos i pasur numrat. Kur opozita nuk ia voton por i thotë se nëse sjell politikan tjetër po nga partia jote, ne e votojmë, Kurti nuk do, vazhdon me 36 seanca të dështuara duke mbajtur Parlamentin peng. Pra nuk i shkon frymës konsensuale republikane për të kandiduar një politikan të pranuar edhe nga palët e tjera por i shkon tekës së vet për figurë totalisht partiake. Kjo tekë ka kosto për Kosovën.

Në vazhdimin e tekës së tij, propagandon se opozita është fajtore e bllokimit të parlamentit sepse nuk po ia voton kandidaten thellësisht partiake. A ka detyrë opozita të votojë me sy mbyllur kandidatin që i ofron mazhoranca, apo ka të drejtë të negociojë një person më të pranueshëm për të? Ka të drejtë të negociojë. Po Kurti, a ka përgjegjsi për të negociuar për të gjetur konsensus dhe për të konstituuar parlamentin apo ka detyrë vetëm të këmbëngulë në tekën apo interesin e tij? Në frymën republikane kushtetuese ai ka detyrë të negociojë.

Opozita, partia e dytë, e tretë apo e katërt, janë po aq legjitime sa edhe partia e parë. Sepse nëse partia e parë ka 40%, atë 60%-shin e mbetur e kanë partitë e tjera. Populli siç ka pajisur me legjitimitet përmes votës partinë e parë, ka pajisur edhe partinë e dytë, të tretën, e me radhë. Nëse partive të tjera nuk iu njeh legjitimitet por nis i trajton si të huaja, sikur janë jabanxhie në shtet, sikur përdoren nga armiku për të bllokuar shtetin e prandaj nuk duhet konsensus me ta, nuk je as demokratik, as nën frymën republikane.

Je nën frymën e partive diktatoriale të para viteve 1990 të cilat armikun e projektonin te opozita dhe e vazhduan revolucionin deri në zhdukjen e opozitës. Sepse në ato shtete totalitare opozita shihej si pengesë. Ato parti-shtete në Bashkimin Sovjetik, Jugosllavi dhe gjithë Europën Lindore nuk njihnin parimet republikane, nuk njihnin ndarjen e pushteteve por prodhuan teorinë e “Unitetit të Pushteteve” e cila parashikonte se të gjitha pushtetet dhe institucionet në mënyrë unitare, sundoheshin nga partia-shtet. Askush tjetër nuk njihej si bashkëpronar në shtet.

Ndërsa në sistemet liberale kushtetuese mazhoranca e opozita janë bashkëpronare në shtet sepse të dyja përfaqësojnë vullnet popullor të shprehur përmes votës së njerëzve. Albin Kurti duke mos pranuar ketë logjikë dhe këto parime republikane po dëshmon se është mbetje mentale e partive totalitare, mbetje qesharake, sepse është anakronizëm i madh të kesh ketë mentalitet në ketë kohë.

Latest articles

Related articles