Në kohët kur është bërë modë të fajësojmë politikën, opozitën, bashkinë apo çdo formë tjetër menaxhimi për gjithçka që nuk shkon në qytetet tona, shpesh harrojmë të shohim aty ku nis vërtet problemi: tek vetja.
Nëse rrugët janë të ndotura, kjo nuk është për shkak se nuk ka kazanë plehrash, por sepse shumë prej nesh zgjedhin ende t’i hedhin mbeturinat nga dritarja e makinës, ose në cep të rrugës, sikur dikush tjetër të jetë përgjegjës për pasojat. Nëse parqet janë të shkatërruara, nuk janë pushtetarët që i dëmtojnë lodrat e fëmijëve, por qytetarët vetë, me një mungesë thelbësore edukate dhe respekti për të përbashkëtën.
Një administratë e kalbur, e paaftë dhe e vjetëruar, sidomos në mentalitet apo dëshirë për punë është e rrezikshme. Por neglizhenca jonë kolektive është më e rrezikshme sesa një administratë e paaftë. Sepse edhe nëse menaxhimi do të ishte perfekt, një shoqëri që nuk e ka për gjë të shkelë rregullin, të abuzojë me hapësirën publike apo të shpërfillë detyrimet qytetare, e kthen çdo përpjekje në humbje kohe.
Nuk është politika që e kthen qytetin në kaos, janë qytetarët që nuk duan të jenë pjesë e zgjidhjes, por preferojnë të qëndrojnë spektatorë dhe “kritikë” të një realiteti që vetë e ushqejnë çdo ditë.
Zgjidhja nis me edukatën, me shembullin, me ndërgjegjen se qyteti është i të gjithëve — dhe çdo papërgjegjësi personale është një akt i drejtpërdrejtë ndaj vetes.
Faji, për fat të keq, nis nga pasqyra. Dhe kur pamja në pasqyrë nuk na pëlqen, atëherë nuk duhet të thyejmë pasqyrën, por duhet të ndryshojmë veten.