As të lidhur, as të lirë: Sindroma e elefantit tek shqiptari

spot_img
Advertisements

nga Adri Nurellari

Kur kam qenë në Azinë Juglindore, më ka mahnitur madhështia e elefantëve, gjallesa gjigande prej disa tonësh që silleshin si mace shtëpiake. Më intrigonte fakti që i bindeshin aq lehtë njerëzve, ndërkohë që ato bisha mund të të hekurosnin e të të shndërronin në letër cigareje me një shkelje të vetme të putrës.

Mësova për një metodë mizore, ku elefanti këlysh i vogël izolohej, lidhej me zinxhirë, keqtrajtohej, derisa të dorëzohej dhe të bindej se nuk ia vlente më të luftonte. Procesi quhej Phajaan – që përkthehet tekstualisht “thyerja e shpirtit”.

Edhe kur rritet, merr përmasat e kolosit, bëhet më i fortë se çdonjëri që e kontrollon, dhe mund t’i këpusë zinxhirët si fije makaronash, elefanti prapëseprapë nuk përpiqet më të shpëtojë. Sepse bindja se “nuk mundem” i ka mbetur thellë e ngulitur. Mendon me vete: “Kam kaluar kohë të gjatë duke u përpjekur – është e kotë, nuk ia vlen përpjekja.” Kjo ndodh sepse e ka pranuar skllavërinë si normalitet.

Ky tregim, në mënyrë të frikshme, i ngjan historisë dhe aktualitetit tonë. Edhe ne shqiptarët kemi kaluar një Phajaan kolektiv. Në fillim, përmes dhunës dhe frikës së diktaturës apo okupimit. Më pas, përmes zhgënjimeve të një tranzicioni të pafund, kemi arritur një moment ku shumë shqiptarë nuk besojnë më se mund të ndryshojnë realitetin, dorëzohen e largohen. Nuk përpiqen, sepse janë mësuar me idenë se përpjekja është e kotë. Dhe në vend që të përballen me përgjegjësinë për ta ndryshuar vendin, zgjedhin të ikin masivisht. Jo sepse janë të dobët, por sepse janë stërvitur të ndihen të tillë.

Ky është zinxhiri ynë mendor: i padukshëm, por i vërtetë, dhe që nuk këputet lehtë. Sot nuk jemi më të lidhur – por sillemi sikur të ishim. Kemi mjetet e demokracisë në dorë, por nuk kemi vetëdijen që ato funksionojnë. Jo sepse dikush na ndalon, por sepse ne vetë jemi mësuar të mos provojmë. Faktikisht zinxhiri më i fortë është ai që ti e pranon vetë ndërsa skllavëria më e thellë është dorëzimi që vjen nga përbrenda.

Në këtë mënyrë, elefanti i madh i quajtur popull shqiptar rri i qetë në qoshe – i heshtur, i dorëzuar, duke u tretur pak e nga pak prej emigracionit – edhe pse realisht mund të përmbysë gjithçka. Tashmë ka ikur gjysma e popullsisë së Republikës së Shqipërisë dhe më shumë se 1/3 e asaj të Kosovës, vazhdojmë si popull muhaxhirësh por kësaj radhe nuk jemi dëbuar prej gjenocidit.

Prandaj duhet thënë se është iluzion të shpresosh se ndryshimi do të vijë me kalimin e kohës, sepse nuk ka ndonjë rregull natyror që thotë se shoqëritë përparojnë vetvetiu me kalimin e kohës.Të presësh që koha t’i rregullojë gjërat është si të mendosh se ora rregullon vetë defektin e saj, sado minuta e orë të kalojnë. Kombet përparojnë kur dikush ndërhyn në ciklin e përsëritjes, e ndërpret, dhe kërkon diçka tjetër. Progresi nuk është produkt i kohës, por rezultat i ndërhyrjes.

Latest articles

Related articles