nga Sidi Hasanaj
Sa e shëmtuar, e dhimbshme dhe e vrazhdë është hapësira publike politike edhe pas 11 Majit?
Partia Socialiste dhe Edi Rama, në delirin e një mandati të katërt radhazi, kanë vendosur ta ekspozojnë arrogancën e tyre jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formë. Çdo dalje publike, çdo vizitë ndërkombëtare, çdo postim në rrjete sociale, është pasqyrë e një pushteti të çliruar nga ndjenja e përgjegjësisë, por i marrosur nga vetë madhështia e tij imagjinare.
Në krye të kësaj fushate estetike që kërkon të maskojë dekadencën e shtetit, është vetë Rama – një klloun politik, që e mat vlerën e vet me numrin e liderëve europianë që e vizitojnë në Tiranë.
Ai që, ende pas 13 vitesh në pushtet, shfaqet me krenari provinciale për atletet e bardha në tapetet e kuqe… në një spektakël të çuditshëm, ku nuk kuptohet nëse është snobizëm, lajthitje, apo të dyja bashkë.
Ndërkohë, realiteti ekonomik i Shqipërisë është dramatik:
• Mbi 30% e popullsisë jeton në varfëri, sipas INSTAT.
• Shqipëria ka të ardhurat për frymë më të ulëta në Europë – rreth 7,400 USD në 2023, shumë poshtë Serbisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi.
• Bujqësia është në rënie për të pestin vit, ndërsa industria përpunuese tkurret për të dytin vit radhazi sipas raporteve të vetë Instatit të Edi Ramës.
Por ndërkohë që bujqësia dhe industria vdesin, kullat ngrihen.
Ndërtimi është sektori me rritjen më të lartë – mbi 12% në 2023 – edhe pse nuk ka kërkesë reale për banesa, çka ngrë alarmin për pastrim parash, siç e theksojnë raportet e Bankës Botërore dhe FMN.
Ky është paradoksi shqiptar: një vend i varfër që pasurohet në letër, përmes betonit, jo përmes prodhimit.
Dhe natyrisht, nuk mungon as krenaria e tretë e Ramës, pas liderve europiane që e trajtojnë “si shok e të barabartë ” dhe atletëve të bardha: vjen turizmi!
E njëjta recetë:
Më shumë beton, më pak Shqipëri.
Në 2023, Shqipëria priti mbi 10 milionë turistë të huaj. Por sipas Bankës së Shqipërisë, 80% e shpenzimeve të tyre shkojnë për transport dhe akomodim të importuar (linjat ajrore dhe autobusët, pasi shumica e parave të biletave shkojnë te kompanitë ndërkombëtare si Wizz Air, autobusë nga Maqedonia, Greqia, etj.) jo për bujqësi, as për produkte lokale, as për ekonomi vendase.
Kur një hotel, resort apo vilë turistike nuk përdor produkte shqiptare (ushqim, materiale ndërtimi, pajisje), por gjithçka e importon nga jashtë, atëherë lekët që sjell turisti nuk mbeten në ekonominë shqiptare, por dalin jashtë, dhe komuniteti përfiton minimalisht.
Turizmi është vitrinë për propagandë, por shkretëtirë për ekonominë reale.
Ndërkohë që plazhet e Jugut po betonizohen me ritme alarmante, sepse oligarkët dhe korrupsioni i “Xhaçkave” dhe “Gaçëve” po konvertojnë paratë e errëta në grinë e betonit, infrastruktura nuk përballon fluksin. Kemi një ferr jo me flakë, por me trafik dhe rradhë pa fund në të nxehtin afrikan të nje vendi mesdhetar aq të bukur nga natyra, por që po e shkreton me beton dhe oligarkë!
Shëmti e madhe po shfaqet çdo ditë më shumë oas 11Majit.
Bizneset hoteliere nuk gjejnë punonjës, sepse të rinjtë po largohen masivisht nga vendi. Vetëm në 2022, mbi 47,000 qytetarë emigruan, shumica nën 35 vjeç.
Kjo është Shqipëria pas 11 Majit:
Një vend që krenohet me numra, por mbytet nga boshllëku moral e ekonomik që ata numra përpiqen të maskojnë.
Një vend ku turizmi nuk ndërton ekonomi, por mit personal për një klloun-lider që mat veten me atlete të bardha në tapete të kuqe dhe beton gri.
Një vend ku rinia ikën, bujqësia vdes, industria shkretohet, por propaganda e betonit dhe mikpritjes për liderët e huaj vazhdon të shërbejë si fasho për plagët që qeverisja i ka hapur vetë vendit.
Por fatkeqësisht e keqja nuk ndalet këtu.
Në Shqipëri, shprehja “e keqja nuk ka fund” merr kuptim si askund tjetër.
Sepse deformimi antropologjik ka përfshirë edhe të rinjtë dhe opozitën.
Në një shoqëri ku shumëçka po rrënohet, ku mendimi kritik është trullosur, ku mendja është dorëzuar dhe shpresa e ka vështrimin në emigracion,ku makinat e fëmijëve të oligarkëve janë më të qëndrueshme se e ardhmja e vetë të rinjve, po e jep këtë fyryrë edhe në alternativën e tij, opozitën!
Një Parti Demokratike e mbushur me të rinj që hyjnë në politikë jo për të ndryshuar këtë shëmti, por për të qenë afër pushtetit, për tu nxirë në shëmtinë e këtij moçali.
Për ta, pushteti është hapësira ku përfitohet para, ku pasurohesh dhe ushqen egon e sëmurë për t’u dukur i rëndësishëm.
Asnjë ndjeshmëri për kauzën, për vyrtytet politike, për idetë.
Parimet janë monedha më e pavlefshme në këtë treg politik.
Kemi një opozitë që nuk është më kontrast i së keqes, por klon i saj i zbehtë.
Sot, pyetja që bën një i ri në politikë është kjo:
“Sa pushtet ka ky lider?”
A është afër qeverisë? Afër oligarkëve? Afër betonit?
Valenca e një lideri politik është bërë ekuivalente me sa mundësi ka ai për të pasuruar rrethin e tij të servilëve.
Ky është mentaliteti që nuk prodhon as liderë, as deputetë me identitet të dalluar profesional dhe njerëzor, por imitues vulgarë kopje e njëri tjetrit.
Kush është sot deputeti që shpalos tezat e djathta për ekonominë, industrinë, shëndetësinë, rendin juridik, artin etj etj, nga rradhët e partisë demokratike?
Deputetë dhe të rinj që i ndjekin pa asnjë spikatje profesionale, por replikues të Flamur Nokës dhe Tritan Shehut.
Dhe kur një 83-vjeçarë i shpallur Non Grata dhe rishpallur së fundmi nga Presidenti Trump, ndiqet jo për idetë, por për fuqinë e pushtetit dhe parasë që ka, atëherë çdo përpjekje për ndryshim është farsë.
Ja përse PD humbi aq thellë 11Majin!
Jo se Troplinët ishin më të fortë se Arjan Ndoja në Durrës, jo se bandat e Suel Çelës ishin më të forta se bandat Mamurrasit apo Matit që bënë fushatë për kandidatët e tyre në listat e Berishës (që askush nuk ja përmend) , por sepse PD nga kontrast është kthyher në imitim të PS!
Sepse PD është mbushur me të rinj që identitet kanë pushtetin me çdo kusht. Kjo nuk është ndërgjegje politike, ky është arrivizëm meskin kolektiv.
Dhe kur oportunizmi zëvendëson guximin për të qenë ndryshe, e ardhmja është thjesht një ripërsëritje e së shkuarës, ndaj shëmtia e Edi Ramës që sot bërtet për mandat të pestë e pse jo…të gjashtë.
Sidi Hasanaj