Gjykata e Apelit Administrativ ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për skualifikimin e prokurorit Ndini Tavani nga gara për SPAK, duke e cilësuar atë të paligjshëm dhe duke urdhëruar përsëritjen e procedurës.
Vendimi i Apelit u mor në favor të padisë së ngritur nga Tavani, i cili u përjashtua nga gara mbi bazën e një vlerësimi të komisionit të posaçëm të SPAK, të pranuar si i pakontestueshëm nga KLP.
Për këtë vendim të Apelit Administrativ, gazetarja iu referua burimeve të besueshme pranë trupës gjyqësore, të cilët pritet ta zbardhin vendimin dhe aty do të shihen edhe argumentet. Ndini Tavani shfaqi interes për të qenë pjesë e SPAK, por ai u skualifikua nga anëtarët e KLP që mori të mirëqenë qëndrimin e komisionit të posaçëm të SPAK mbi pretendentin.
Pavarësisht se Apeli i dha të drejtë Ndini Tavanit për të garuar për në SPAK, kjo prokurori është e plotësuar me 20 prokurorë dhe mbetet e paqartë se si do veprojë KLP në këtë rast. Garën për në SPAK e ka kundërshtuar gjyqësisht edhe një prokurore tjetër e cila pasi humbi në gjykatat shqiptare, i është drejtuar Strasburgut.