Nga Ares Ypi
Le të kthehemi pas në kohë për të kuptuar më qartë fenomenin e asimilimit politik në realitetin shqiptar. Në Mesjetë, shumë fisnikë arbërorë filluan të konvertoheshin nga ortodoksë në katolikë. Një nga shembujt më të njohur është ai i Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), por të njëjtën rrugë ndoqën edhe familje si Dukagjinët, Topiajt, Muzakajt dhe Zahariajt.
Konvertimi i fisnikëve rrallëherë ishte çështje thjesht fetare – ai kishte pasoja politike të drejtpërdrejta, pasi ndikonte edhe në popullatat e territoreve që ata sundonin. Në thelb, ishte një asimilim politik i mbështetur mbi interesa gjeopolitike.
Më vonë, me vendosjen e hegjemonisë osmane, ndodhi një valë tjetër konvertimesh -kësaj radhe në fenë islame. Këto ndryshime fetare nuk ishin vetëm shpirtërore; ato përfaqësonin edhe asimilime kulturore, shoqërore dhe shpesh edhe kombëtare. Rasti më domethënës janë shqiptarët ortodoksë të Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët, të ndodhur mes presionit islamizues dhe mungesës së një Kishe Ortodokse Shqiptare, u asimiluan gradualisht në identitetin serb.
Asimilimi politik duhet parë edhe përmes natyrës njerëzore. Kur një komunitet humbet shpresën për të ruajtur identitetin e tij gjuhësor, kulturor, kombëtar dhe fetar, ai fillon të asimilohet në mënyrë të heshtur, por të pashmangshme. Po të hedhim një vështrim në historinë shqiptare, konvertimet masive në Islam ndodhën kryesisht në shekujt XVII–XVIII, kur Perandoria Osmane kishte hyrë në fazën e saj të vonë, por ende nuk po largohej nga këto troje. Pas gati 400 vitesh përpjekjesh për të rezistuar, shumë shqiptarë u dorëzuan para realitetit, duke menduar: “Këta nuk ikin më, ndaj le të përshtatemi.” Përveçse për mbijetesë, konvertimi shpesh lidhej me karrierë, privilegje dhe pasuri, që vinin nga integrimi në strukturat e Perandorisë.
Megjithatë, nuk mungojnë edhe shembujt e rezistencës së fortë. Disa fise ortodokse shqiptare të Malit të Zi ruajtën me fanatizëm gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar deri në fund të shek. XIX. Por më pas, të thyer nga rrethanat, ata jo vetëm që u asimiluan, por u bënë flamurtarë të nacionalizmit serbo-malazez, si rasti i njohur i Mark Milanit.
Asimilimi në realitetin politik aktual
Duke kaluar në aktualitet, po e trajtoj këtë temë nisur nga një zhvillim konkret: emërimi në krye të Kadastres së Vlorës të z. Genc Deromemaj, një figurë e njohur e Partisë Demokratike në këtë qytet dhe anëtar i kryesisë së saj. Pavarësisht 12 viteve në opozitë, PD ende gëzon mbështetjen e mbi gjysmë milioni qytetarësh – një fakt i jashtëzakonshëm, por që nuk mund të garantojë ringritjen pa reformë të thellë dhe riorganizim.
Në këtë kontekst, vendimi i zotit Deromemaj për të pranuar një post nga kundërshtari politik mund të shihet si asimilim politik, i ngjashëm në thelb me rastet historike – një zgjedhje nën presionin e realitetit, mungesës së shpresës, dhe nevojës për të realizuar ambicie personale e profesionale. Si ai, shumë demokratë ndihen të lënë pas, të pafuqishëm për të çuar përpara karrierën e tyre, ndërsa kujtimi i pozicioneve të dikurshme në administratë po zbehet dita-ditës.
Asimilimi politik duhet parë edhe përmes natyrës njerëzore. Kur një komunitet apo një parti politike humbet shpresën për të ruajtur identitetin e saj, ajo fillon të asimilohet në mënyrë të heshtur, por të pashmangshme. Nëse PD nuk arrin të reformohet shpejt, ajo rrezikon jo vetëm të humbasë zgjedhjet e ardhshme, por të bëhet një fosil politik, që mbijeton vetëm në kujtesë dhe jo më në realitet.