Tenderi i shumë diskutuar për të marrë makina me qira për Policinë e Shtetit është finalizuar ditët e fundit, duke u shpallur edhe fituesit e një procedure tepër të dyshimtë.
Sipas dokumenteve që disponon media, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me kërkesë të Policisë së Shtetit, do të lidhë ditët në vijim kontratat e makinave me dy firmat fituese.
Nga një kalkulim që bëri redaksia jonë rezulton se 1 makinë sedan, e ulët, do të merret me qira për 4 vite me një çmim rreth 33 mijë euro. Ndërkohë, 1 automjet SUV, tip foristrade, do të merret me qira po për 4 vite nga Policia e Shtetit me një çmim prej 33 mijë e 500 euro.
Çmimet e marrjes me qira janë pothuajse të njëjta me çmimet për t’i blerë këto mjete, pasi tregu i makinave të tilla ka pasur ulje. Kontrata parashikon që mjetet të përdoren në këtë afat (4 vjeçar) dhe më pas ti dorëzohen sërish koncesionarit për t’i rishitur apo për ti ridhënë me qira.Në dokumente parashikohet se do të ketë edhe një tavan kilometrash që mund të bëjë policia, çka ka sjellë që i gjithë tenderi të vihet shumë në diskutim nëse policia duhet t’i blejë apo t’i marrë me qira. Kontratat e mëparshme kanë qenë gjithmonë të diskutuara për vlerën dhe llojin e makinës, teksa gjithmonë ka pasur debate të tilla, për shkak edhe të situatave ku mjete të policisë kanë mbetur në rrugë.
Dokumenti i mësipërm është njoftimi i fituesit për mjete Sedan, ku fitues doli firma “EUROCAR RENTALS”. Kjo firmë konkurroi në lotin 1 të tenderit me objekt “marrje autovetura SEDAN me qira për Policinë e Shtetit”, me fond limit 222 milionë lekë.
Në të njëjtën kohë, OBP ka shpallur fituesin edhe të lotit 2 për marrjen me qira të makinave për Policinë e Shtetit, me objekt “marrje autovetura SUV me qira për Policinë e Shtetit”, me fond limit në vlerën 227,800,627.Oferta më e ulët ka qenë sërish e kompanisë “ALBANIA MOTOR COMPANY” me vlerë 171 milionë lekë. “MEKTRIN” ofroi 201 milionë lekë. Policia shkruan se do të marrë 60 makina me qira për 4 vite SUV. Me një kalkulim rezulton se 1 makinë e tillë do t’i kushtojë arkave të shtetit shqiptar 3.350.400 lekë, ose rreth 34 mijë euro.
