Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe easyJet festojnë nisjen e fluturimeve Lisbonë–Tiranë

spot_img
Advertisements

24 Qershor 2025 | Tiranë, Shqipëri – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka shënuar sot një tjetër moment të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të tij ndërkombëtar: është realizuar fluturimi i parë direkt nga Lisbona drejt Tiranës, përmes linjës ajrore easyJet. Me këtë hap, kryeqyteti i Portugalisë bëhet më i afërt se kurrë më parë për qytetarët shqiptarë, duke hapur gjithashtu mundësi të reja për turizëm dhe bashkëpunim ekonomik.

Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, theksoi rëndësinë e kësaj rruge të re ajrore:
“Jemi të lumtur që kemi shtuar kete destinacion, edhe pse sezonal. Shpresojmë që EasyJet dhe Portugalinë të mund ta mbajmë jo vetëm për sezonin e verës, por përgjatë gjithë vitit. Avioni ishte plot në ardhje, do të jetë gjithashtu plot edhe në ikje. Nuk është surprizë. Në të vërtetë Shqiperia është tashmë një destinacion që të gjithë duan të vinë, ta vizitojnë. Pothuajse 90% e pasagjerëve janë portugezë dhe janë të etur të zbulojnë një vend të ri ku nuk kanë qenë më parë. Shpresojmë që shumë shpejt të shtojmë edhe më shumë destinacione si ky, si dhe të tjera nëpër Europë.”

easyJet vazhdon të zgjerojë praninë në Shqipëri, duke treguar besim në potencialin turistik dhe ajror të vendit. Me shtimin e Lisbonës, rrjeti i destinacioneve nga TIA zgjerohet edhe më tej, duke ofruar alternativa të reja për udhëtarët që kërkojnë fluturime të besueshme dhe me çmime të përballueshme.

Lidhja me Lisbonën përmes easyJet shihet jo vetëm si një hap përpara në lehtësimin e udhëtimeve turistike dhe familjare, por edhe si një mundësi e re për bashkëpunime ekonomike, kulturore dhe arsimore mes dy vendeve. Rritja e këtij rrjeti të fluturimeve direkte ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në promovimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për pushuesit nga vende që më parë nuk kishin qasje të lehtë ndaj tregut shqiptar.
Aeroporti i Tiranës pritet të njoftojë së shpejti edhe linja të tjera të reja, si pjesë e strategjisë së tij afatmesme për zgjerimin e rrjetit ajror dhe përmbushjen e kërkesës në rritje për fluturime direkte.
Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës:
TIA është porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon. Me mbi 10.7 milionë pasagjerë në vitin 2024, aeroporti ka një rol kyç në lidhjen e Shqipërisë me destinacionet kryesore evropiane. Nën drejtimin e Grupit Kastrati, TIA ka përjetuar investime të mëdha në infrastrukturë, zgjerim terminali, hapësira të reja parkimi dhe teknologji të avancuara për përmirësimin e përvojës së pasagjerëve.

Latest articles

Related articles