Ish ministri Malaj rikthehet të takoj Sarën, vajzën që shet misra për dinjitetin e familjes së saj

spot_img
Advertisements

nga Arben Malaj

Sot, duke u kthyer nga Vlora, ri- takova tek kthesa e Rrogozhinës Sarën, vajzën e vogël që, bashkë me lepushkat e misrave, mban gjithnjë ndonjë libër me vete.
Sara është një nxënëse e shkëlqyer. Këtë vit mbaroi klasën e tetë me mesatare mbi nëntë.

Në qershorin e vitit të ardhshëm, kur të mbarojë klasën e nëntë, bashkë me këshillat që do të ndaj me të, Sara do të vendosë se ku do ta ndjekë shkollën e mesme.

Familja e Sarës këtë vit është përballur me fatkeqësi të mëdha. Ajo humbi gjyshin e saj, i cili e ndiqte dhe e mbështeste hap pas hapi, me dëshirën që ajo të ishte nxënësja më e mirë e klasës.

Ai lumturohej pafund për sukseset e saj.

Pjesëtarë të tjerë të familjes kanë probleme serioze shëndetësore, të shoqëruara me kosto jo të vogla financiare.

Sarën e takova për herë të parë në korrik të vitit 2021.

Në ato ditë, të gjithë politikanët shqiptarë u “marrosën” pas Dua Lipës.

Në ato momente zhgënjyese për hipokrizinë e tyre shkruajta tek gazeta Panorama, një artikull me titull: “E dua Dua Lipën, por më shumë dua Sarën e vogël që shet misra për mbijetesë.”

Secili prej nesh ne komunitetet ku jetojmë apo punojmë mund dhe duhet të bëjmë më shumë per njerëz në nevojë.

Të ofrojmë më shumë dhembshuri dhe humanizëm.

Duhet të krijojmë dritë dhe shpresë për fëmijët që vijnë nga familjet e varfra.

Kohezioni dhe solidariteti social duhet të jenë themeli i kulturës së përkujdesjes për këto grupe shoqërore.

Kjo kulturë përkujdesjeje duhet të jetë mision i çdo individi, cdo komuniteti dhe jo vetëm i qeverive.

Por kur kjo ndjenjë e përbashkët për të varfërit merr formë dhe përhapet, atëherë edhe qeveritë nuk mund të fshihen më:

Qeverite dorëzohen përballë detyrimit moral dhe ligjor për të ndërtuar vizionin, strategjitë, programet, projektet dhe për të siguruar financimin prioritar të luftës kundër varfërisë – jo vetëm asaj materiale.

Përqafime mirënjohëse për Sarën e vogël, e cila ka vendosur dhe po përkushtohet të thyejë këtë zinxhir të trashëgimisë së varfërisë.

Latest articles

Related articles