Dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, sot në mëngjes kanë zbatuar një vendim të gjykatës GJKKO, duke ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit.
Sakaq për këtë të fundit raportohet se është ndaluar në Dubai.
Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, ku agjentët e BKH-së të urdhëruar nga prokurorët e SPAK, kanë kryer sot kontrollin e banesës në Durrës dhe Tiranë si dhe vendeve të biznesit që zotërohet nga biznesmeni, Ergys Agasi.
Ende nuk dihet me saktësi se për çfarë hetimi bëhet fjalë për çështjen e kontrabandës së cigareve, lidhjen me drejtuesit e klanit “Troplini” apo korrupsionin zgjedhor, por gjatë ditës së sotme BKH është vënë në zbatim të një vendimi gjykate.Biznesmenit Agasi po me vendim gjykate i është sekuestruar telefoni për llogari të htimit që po ndjek Prokurori Bledar Maksuti.
Ndërkohë burime jo zyrtare konfirmuan për gazetarin Elton Qyno, se në këtë çështje ka pasur dhe urdhër-arreste, por nuk dihet me saktësi nëse kanë arrestuar apo jo, Ergys Agasin apo persona të tjerë. Agasi është akuzuar nga opozita dhe Berisha si “koordinator mes krimit dhe kryeministrit Rama”.