Nga Prof. Dr. Kristaq Xharo (Kolonel R)
Në një botë ku hartat ndryshojnë në një klikim, ku aleancat tronditen apo nuk mjaftojnë dhe rendi ndërkombëtar drejt kaosit, kombet mbijetojnë kur kanë më së paku dy gurë themeli: një kulturë strategjike që u jep ndjenjë kombeve dhe një strategji madhore, që e kthen këtë ndjenjë në veprim
Busulla që i nevojitet kombit të ecë në një botë kaotike … – Në një botë që nuk pret më – ku lufta vjen pa paralajmërim, marrëveshjet vlejnë aq sa fuqia që i mbron dhe kufijtë vizatohen me drone e serverë – kombet që mbijetojnë janë ata që dinë ku janë e ku do të shkojnë…. Kjo nuk është metaforë; është vizion. Shqiptarët jetojnë të ndarë në katër shtete, me një diasporë më të madhe se popullsia brenda trojeve. Dhe në një kohë kur Macron paralajmëron Evropën për një luftë të madhe brenda dekadës, Starmer flet për Evropë që nuk fle dot më mbi premtime, Ursula von der Leyen flet për konflikte hibride që s’kursejnë askënd – ne ende i pyesim njëri-tjetrin: “Po ne… kush do të na mbrojë?”
Kultura strategjike si shtrat për strategjinë – Kultura strategjike e një kombi nuk është një plan në letër, por është ndjenja, sjellja, mendimi llogjik që di të lexojë rreziqet, t’i përballojë ato dhe t’i kthejë në mundësi. Është busulla që nuk digjet, edhe kur hartat ndryshojnë. Kultura strategjike, për nga natyra, është një kompleksi i formuar gradualisht, nga përvoja historike, tradita, përballja me sfida dhe mënyra se si një komb mëson nga e kaluara. Në rastin e shqiptarëve , ajo ka qenë më shumë spontane dhe reflektive, e lindur nga nevoja për mbijetesë dhe përshtatje në rrethana të vështira, por me nevojën që të institucionalizohet dhe planifikohet më mirë përmes dokumenteve strategjike, reformave në siguri dhe orientimit perëndimor. Pikërisht, në këtë shtrat mund të shfaqet strategjia kombëtare, si veprimi që lind nga kjo mendësi: parimi, dokumenti, fuqia, ligji, aleanca, ushtria, ekonomia, diplomacia. Një komb mund të ketë një strategji të shkruar, por nëse nuk ka një kulturë mendimi që ta ushqejë e ta mbajë të gjallë, dokumenti mbetet letër që i fryn era e çdo krize.
Kultura strategjike shqiptare: midis mungesës së altarit dhe glorifikimit të mitit. Në themel të çdo strategjie qëndrojnë interesat kombëtare, zakonisht të diktuara nga fuqia më shumë se nga morali, siç pohon Hans Morgenthau. Kohë më parë, fqinjët e ngritën kulturën e vet strategjike, e më pas edhe vet strategjitë duke i rrënjosur narrativët mbi mitin dhe religjionet: në jug “Megali Idea” u ushqye nga altari ortodoks, në verilindje “Naçertanja” që prej shekullit XIX mbetet testament i gjallë, nën bekimin e Patriarkanës, ndërsa më larg, mendësia e perandorisë u gjallua mbi bindjen se një shtet që ka qenë qendër nuk mund të qëndrojë në periferi (Davutoğlu). Për fqinjët, feja dhe miti nuk janë vetëm kujtesë, por armë të heshtura që ndërtojnë qëndrueshmëri strategjike. Shqiptarëve ju mungoi një altar i përbashkët, me aq shumë besime të imponuara, as një mit kolektiv indoktrinues. Në mungesë të tyre, rilindësit shpëtuan kombin me moton “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, një frazë frymëzuese, por e pamjaftueshme për të zëvendësuar një kulturë strategjike të konsoliduar. Sot, përndryshe, sfida jonë nuk është të imitojmë mitet e fqinjëve, por të planifikojmë një strategji kombëtare të bazuar në institucione dhe vizion realist për të ardhmen.
Kur aleancat lëkunden… gjendet strategjia. Ne shqiptarët kemi eksperienca të ndryshme për aleancat. Por, aleancat edhe ato më të fuqishmet e ‘të përjetshmet’ mbarojnë një ditë…. A mjaftojnë aleancat, kur bota ndodhet në udhëkryq? – Për momentin NATO është parzmore që i thotë çdo kundërshtari: “Mos e prek këtë tokë!” . Bashkimi Evropian na ndihmon me standarde, fonde, ligje – por vështirë se do të na nxjerrë nga kriza jonë demografike, varësia nga importet, nga boshllëku ynë teknologjik. Dikur Ken Booth, një ndër mendimtarët më të njohur bashkëkohorë të studimeve të sigurisë, shprehet se: “Siguria nuk është vetëm fuqi; është mënyrë të menduari.” Ne, shqiptarët, kemi mbijetuar edhe duke u mbështetur tek të mëdhenjtë, por çështja më e vështirë është a duhet të kemi edhe një plan strategjik B, C edhe D. “Në politikë nuk ka miq të përhershëm, ka vetëm interesa të përhershme.” – Uinston Churchill.
Përtej legjendave dhe rapsodive: koha për vizion strategjik për një komb tej e të shpërndarë… Sigurisht që rapsoditë, legjendat dhe heroizmi kanë qenë zemra që ka rrahur fuqishëm në të gjitha trojet ku flitet shqip, e ku shqiptarët nëpër botë ndodhen, por sot ka nevojë për një mendim të kthjellët: një kulturë strategjike të përbashkët dhe një strategji kombëtare që nuk njeh kufij mes shqiptarësh. Në një botë ku fqinjët planifikojnë me kohë sfidat e nesërme dhe ku vendet e mëdha nuk kanë më miq të përhershëm, por interesa të përhershme, një komb i shpërndarë si yni, pa një busull të qartë, rrezikon të mbetet peng i ndarjeve dhe nostalgjisë.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet një marrëveshje e heshtur që të bashkojë mendjen tonë nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Tetovë e Ulqin e kudo ku shqiptarët jetojnë. Kultura strategjike nuk është luks, por domosdoshmëri që na mban të bashkuar edhe kur gjeopolitikat ndryshojnë, edhe kur interesat përplasen. Ajo është themeli i shëndoshë mbi të cilin ndërtohet strategjia kombëtare ose ‘grand strategy’ që mbledh pjesët e mozaikut shqiptar duke u kthyer në një ‘meshar’ që ruan mbijetesën, gjuhën, simbolet, trojet, dhe dinjitetin.
NATO dhe BE janë streha, por jo fundi i rrugës së kombit. Fati ynë, rrugë që shkon më larg e nuk përfundon shkruhet nga vetëdija jonë strategjike, nga fuqia për të planifikuar së bashku dhe nga guximi për të qëndruar të bashkuar. Kombi vete është dëshmitar i rendeve që kanë lindur e zhdukur, që bien e ngrihen, që mund të shemben në një natë, duke djegur edhe harta, por busulla e një kombi, që mendon dhe vepron si një i vetëm, nuk duhet e nuk mund të humbë. Dilema mbetet: A kemi guximin ta bëjmë këtë busull për shqiptarë, që edhe pse të shpërndarë në troje e në botë, të ndjehen përherë më pranë me ndjenjë e fat kombëtar përbashkët?
Epilog pas një ndeshje të kombëtares… Stadiumi si arena në një miniaturë, reflekton ndjenjën e thellë, kulturën strategjike, ku sportdashësit si ‘përfaqësuesit’ e një kombi të shpërndarë mblidhen, nën një flamur të vetëm. Përballë një emocioni të madh, dëshira për të qëndruar bashkë pa u përçarë, duke ruajtur mendjen mes zjarrit të pasionit, ndoshta për të pranuar edhe humbjen me dinjitet, por duke menduar e besuar, se gjithmonë, më pas, gjejmë fuqinë për të fituar. Tribunat, flamujt, brohoritma, por edhe qetësia kur duhet, janë skena ku zemra dhe arsyeja testohen para botës. Një mjedis i mbushur, ‘me thëngjij të mbuluar’, është metafora më e gjallë, se ky komb di të ketë jo vetëm zjarr, por edhe dëshirë, mendim, plan, disiplinë dhe besim të përbashkët , as më pak por embrioni i një kulture strategjike që nuk shuhet as kur bie gongu i fundit. Nuk ka rëndësi nëse ky stadium është rrugë, shtëpi apo një ekran: rëndësi ka që kjo frymë të na bashkojë kudo, si busull që nuk humbet, edhe kur hartat ndryshojnë.