Rendi ndërkombëtar liberal që njohim ka në thelb disa parime që janë zbatuar prej dekadash:
1. Respekti për integritetin territorial
2. Mospërhapja e armatimit bërthamor
3. Zgjidhja paqësore e konflikteve
4. Respektimi i së drejtës ndërkombëtare
5. Respektimi i kartave të të drejtave të njeriut
6. E drejta e vetëvendosjes së popujve
7. Mosndërhyrja në punët e brendshme
Thuajse gjithë organizmat ndërkombëtarë që njohim (OKB, OBT, OBSH, NATO, FMN, CISTO e të tjerë) janë të pafuqishëm për të ndaluar erozionin e këtyre parimeve. Vendet e vogla ngjashëm me tonin ndihen mirë me këtë sistem, pasi ka disa mekanizma ku mund të ankohen në raste padrejtësish. Ndërsa situata tensionohet, fuqi rajonale fillojnë dalin në pah, adresimi i padrejtësive fillon dhe bëhet më i vështirë. Siç po e shohim, asnjë s’e di si do jetë e ardhmja. Jo se e kemi ditur ndonjëherë, por kemi pasur një lloj sigurie se si do ngjante. Sot s’e di kurrkush.
Sa i përket parimeve të mësipërme, secili mund të gjejë raste se si janë cënuar. Kjo na çon drejt mësimit kryesor të njërës prej shkollave të marrëdhënieve ndërkombëtare, asaj realiste, që thotë se rendi është anarkik, ngaqë s’ka një autoritet suprem që t’i telefonosh kur ke hall dhe të të zgjidhë punë.
Ndërsa ky rend ka probleme të mëdha, shohim se si Fuqitë e Mëdha (për shembull SHBA-të, Kina apo Rusia) po i japin përparësi interesave strategjike përkundrejt respektimit të këtyre parimeve. Sulmet kibernetike, lufta hibride ose fushatat e dezinformimit sa do të vijnë e do të shtohen. Teknologjitë e reja nuk kanë kuadre të qarta rregullatore.
Betejat dhe konfliktet sapo kanë nisur. Do vijojnë për një kohë të gjatë. Mund të zgjedhim të bëhemi gati kundër ndonjë rreziku, ose të jemi spektatorë dhe të shpjegojmë botën me iluminati dhe konspiracion. Siç thotë shprehja e vjetër – “pushteti buron nga gryka e pushkës”.