Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, i ka kërkuar Operatorit të Blerjeve të Përqendruara të anulojë tenderin për uniformat e gardianëve. Më konkretisht është anuluar procedura e prokurimit me objekt të kontratës “Blerje uniforma për Policinë e Burgjeve”. Sipas dokumenteve, ky tender ishte ndarë në 2 pjesë: Loti I: “Blerje uniforma dhe grada për Policinë e Burgjeve”; Loti II: “Blerje këpucë për Policinë e Burgjeve”.
Ky është tenderi më i shtrenjtë për uniformat që kanë bërë burgjet dhe e ka fondin limit 1,390,769,925 lekë pa TVSH ose 14,055,280 Euro pa TVSH. Arsyeja zyrtare e paraqitur për anulimin nga drejtoria e Burgjeve është: “Për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit kontraktor kanë ndryshuar”.
Tenderi i uniformave të Gardës
Është pezulluar për momentin tenderi “Blerje uniformash dhe elementësh të tjera përbërëse të tyre për Gardën e Republikës”, me fond limit: 36,666,500 lekë pa TVSH. Tenderi u hartua nga grupi i ngritur nga komandanti i dorëhequr Ermal Onuzi dhe i ka mbetur në dorë si patate e nxehtë Simon Zerecit, drejtuesit që është komanduar më 15 qershor nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Anulohet tenderi i uniformave i Policisë së Shtetit
Ndërkohë Operatori i Blerjeve të Përqendruara kishte shpallur tenderin për blerjen e uniformave për Policinë e Shtetit. Gara ishte e ndarë në dy lote, dhe ofertat për secilën priteshin deri më 19 maj 2025. Por ç’ndodhi? Me një shkresë të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda është anuluar tenderi. Loti i parë ishte me vlerë 19.6 milionë euro dhe parashikonte blerjen e uniformave, gradave, stemave dhe shenjave për Policinë e Shtetit. Sipas dokumenteve të tenderit do të bliheshin 78.150 uniforma bazë për policinë, si dhe 4.545 kostume bazë (këmishë, jelek, pantallona, kapele etj), për rreth 12 mijë punonjës policie gjithsej.
Pjesë e këtij loti ishte edhe blerja e uniformave verore, 8500 palë pantallona, si dhe 62,100 këmisha e pulovra. Kërkesa tjetër është prej 25,700 palë kostume e bluza që do të shërbejnë për stërvitje e shërbime.
Uniforma ceremoniale do bliheshin 1,718 copë si edhe uniforma prezantuese për zyrat e pritjes qytetareve 270 copë. Sa i takon Gradave të Policisë së Shtetit që janë pjesë e këtij tenderi do bliheshin 21,586 grada të mëdha të shërbimit spaleti, 3,368 Gradë e madhe spaleti ceremoniale.