Përshëndetje Z. Alex Soros! Mora vesh që kishe dasmën. Të ftuar kishe dhe Kryeministrin e Shqipërisë Z. Rama. Ti me gjasa po çuditesh nga letra ime, se as më ke takuar e as nuk e di kush jam, por i kam dy llafe për të ti thënë.
Unë jam avokat! Jam njeriu më i sulmuar në Ballkan për ty dhe ti as nuk e ke marrë mundimin të dish kush jam! Mua Z. Soros për ty çfarë nuk më kanë thënë dhe ti sërish vajte ftove Z. Rama. Këtyre këtej nuk u hyn në sy Z. Rama, madje sa më shumë të takon ty aq më shumë vota i japin. Kësaj here për mandatin e 4 e shpërblyen me 83 deputetë. Ushtria e antisorosistëve në Shqipëri nuk ka hall Z. Rama, ka hall si e si mua të më ndalë, e “plani” yt të mos realizohet. Pra, plani yt se si Ramën ta zvendësosh me mua. O më bëjnë tëndin o nuk ka! Plan strategjik! Nuk quhet Rama jo, as këta të tjerët…duan mua patjetër!
E di, e di që ti nuk di gjë, po dhe unë boll taksirat e kam pas deri tani, ndaj që sot duke qenë se nuk më ftove edhe unë distancohem nga ty. E di që ty nuk të prishet as kosi e as gjiza nga prishja e njëanshme e “marrëdhënieve” tona strategjike, por unë kaq kam në dorë e kaq po bëj.