Ese e para dhjetë vjetëve.
Dr. Gezim Aliu, Instituti albanologjik Prishtinë
1.
Sintagma “krizë e leximit” është përdorur dhe përdoret shpesh. Sigurisht edhe vetë e kam përdorur. Por, duhet thënë qysh në fillim se në Kosovë nuk ka “krizë të leximit”. Pse?
Këtu nuk ka krizë të leximit, ngaqë, për ta pasur një të tillë, do të duhej të kishim dukuri të leximit. Dukuria e leximit, ose, për ta zbritur nivelin, normaliteti i leximit, nuk ka ekzistuar kurrë në ambientet tona. Po përmend vetëm disa faktorë.
Populli shqiptar është futur në shekullin e njëzetë pa qenë në gjendje të shkruajë e të lexojë. Mbi nëntëdhjetë për qind e njerëzve nuk kanë ditur shkrim e lexim dhe kjo mjeshtëri e panjohur zotërohej në nivel të lartë vetëm nga pak personalitete, të shkolluar e të formuar gjithandej Evropës e botës. Me pak përjashtime, gjyshërit e stërgjyshërit tanë të gjithë kanë qenë analfabetë. Vetëm paramendojeni këtë! Shumica nga ne i mbajmë mend gjyshërit tanë, edhe nga ana e babës, edhe nga ana e nënës. Besa, nderi, mikpritja etj., kanë qenë virtytet e gjyshërve tanë. Po ashtu, edhe gjakmarrja, “virtyt” kanunor edhe ky. Dhe, deri diku, këto virtyte na shquajnë edhe sot e kësaj dite. Vetëm se ne, nipërit e mbesat, tashmë nuk jemi më analfabetë kanunorë origjinalë, ngase ndërkohë, përgjatë zhvillimeve të afërta historike, ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme për shqiptarët:
Ne jemi populli i vetëm në Ballkan që kemi themeluar dy universitete kombëtare në shekullin e njëzetë dhe atë në gjysmën e dytë të këtij shekulli; të gjithë të tjerët, pra, i kanë themeluar më herët. Ndërkaq, sot, diplomat e këtyre universiteteve tona, po nuk qëllove për nga shpirti kureshtar e punëtor, nuk të duhen shumë. Dija që merr në këto universitete është e pafreskuar me arritjet e reja, literatura mungon ose është ideologjike dhe me mungesa, punë kërkimore-shkencore bëhet pak dhe, më e keqja, nuk ka kurrfarë plani afatshkurtër apo afatmesëm për ta nxjerrë sistemin universitar nga kolapsi. Sidomos në Kosovë.
Këtu në Kosovë, universiteti publik dhe klonet e stërkequr të tij, prodhojnë mësues, të cilët pastaj, duke zëvendësuar kuadrot e vjetra, qarkullojnë nëpër shkolla dhe ngadalë e sigurt përgatisin studentë të ardhshëm që me besnikëri e vazhdojnë mirëmbajtjen e kolapsit arsimor, edukativ e shkencor. Shkurt e trup, ose, shkurt e shqip, sistemi arsimor këtu, njëherë për njëherë, natyrisht me disa përjashtime jo fort ndikuese, është në vdekje klinike ose, për ta zbutur këtë qëndrim, është në dhomën e kujdesit intensiv të shoqërisë sonë me një milion telashe elementare, siç është, për shembull, mungesa e furnizimit të rregullt me rrymë elektrike dhe ujë të pijshëm.
Natyrisht që prapambetjet historike, politike, sociale, arsimore dhe sidomos kulturore, përcjellë edhe me telashet e ekzistencës së përditshme, njeriun shqiptar e kanë mbajtur larg mjetit kryesor të shoqërive të emancipuara: nga libri. Shoqëria shqiptare për një kohë të gjatë ka qenë shoqëri e fjalës së folur. Fjala e shkruar, copa-copa edhe kjo, është bërë pjesë e shoqërisë tonë vetëm në këto shtatëdhjetë apo tetëdhjetë vjetët e fundit. Kështu, edhe leximi i fjalës së shkruar. Kur vjen puna te pëlqimi i fjalës së folur, ne nuk dallojmë shumë nga gjyshërit tanë analfabetë kanunorë. Ne e pëlqejmë shumë fjalën e folur, që tashmë është zhvendosur nga oda te kafeneja. Besa, nderi, mikpritja kanë pësuar goditje të rëndë nga kjo zhvendosje, mirëpo fjala e folur nuk ka pësuar gjë. Përrallat për të tjerët dhe thashethemet janë llojet narrative që na pëlqejnë më së shumti. Muji e Halili janë zëvendësuar nga mujsharët e politikës dhe të bëmat e tyre. Legjenda dhe e vërteta lidhen gërshetë e vazhdojnë të lidhen me ndihmën e të gjithë neve. Natyrisht që makiato është dëshmitare e të gjithë këtij folklori autokton, si gjithherë.
2.
Edhe kur normaliteti i leximit nganjëherë interpretohet si dukuri e dikurshme, e mëhershme, (në stilin e njohur njerëzor ankues se dikur ishte më mirë se tash, gjë që është rrenë e kulluar), duke vënë theksin sidomos te periudha komuniste andej e këndej kufirit, ajo, fatkeqësisht, ishte mjaft ideologjike, madje edhe shtrënguese. Andej lexohej literaturë propagandistike dhe real-socialiste, këndej leximi bëhej i nxitur nga faktorë të jashtëm, si përpjekje për gjetjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Të dyja format e leximit, pas lirisë së fituar, ranë përtokë dhe leximi i librit, sidomos i letërsisë, mbeti me pak “lexues normalë”.
Dhe, sot, të gjithë ne pajtohemi se kultura e leximit është tejet e varfër dhe me boshllëqe. Në Kosovën nën okupimin klasik, rol të madh në krijimin e boshllëqeve të tilla, natyrisht aspak me dashjen tonë, ka luajtur koha e shkollimit paralel, kohë kur janë thyer shumë dhëmbëzorë të asaj që quhet makinë logjike; disa gjenerata janë shkolluar dhe kanë diplomuar me minimumin e dijeve të fituara, që i bie, shumica prej tyre kanë mësuar kryesisht shkrim e lexim. Ndër pjesëtarët e dalë nga kjo makinë logjike me dhëmbë të thyer sigurisht që janë edhe qindra arsimtarë të gjuhës e të letërsisë dhe pasojat po vërehen gjithandej. Ta zëmë, ndodh shpesh që studenti i letërsisë i vitit të parë të mos i njohë shkrimtarët kryesorë shqiptarë. Ose, ndodh që nxënësi ynë i kalon të gjitha fazat e shkollimit parauniversitar, shkon në fakultet, kryen master, pastaj bëhet doktor, të themi i ekonomisë dhe gjatë kësaj kohe nuk e ka lexuar as edhe një roman. Madje as Robinson Kruzonë!
Megjithatë, nëse nuk ka pasur e nuk ka dukuri të leximit, ashtu që për të pasur krizë të leximit, këtu ka pasur dhe ka lexues, pasi që, edhe ai apo ajo që po e lexon në këto çaste këtë shkrim, është lexues/e.
Lexuesit këtu ndahen në dy grupe: lexues pasivë dhe lexues aktivë.
Lexues pasivë janë ato e ata që i lexojnë titrat e telenovelave. Do të thotë, i lexojnë dialogët e personazheve sentimentalë dhe bilanci njëvjeçar i leximit mund të rezultojë me disa volume të trasha. Lexues pasivë janë edhe ato e ata që i lexojnë recetat e gatimeve. Librat e gatimit janë ndër më të shiturit. Po ashtu, lexues pasivë janë edhe ata e ato që i lexojnë titujt e gazetave apo portaleve. Shumë njerëz e fillojnë gazetën së prapthi, fillojnë te vdekja, kalojnë nëpër horoskop e dalin te kryelajmet. Bukur, apo jo? Një gjetje postmoderne.
Ndërkaq, lexuesit aktivë ndahen në tri nënkategori.
Nënkategoria e parë janë studentët. Kosova i ka diku pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë mijë studentë të cilët, me qejf a me zor, duhet ta lexojnë literaturën bazë, ashtu që për t’i dhënë provimet. Shumë nga ta i lexojnë vetëm parathëniet, pasthëniet, apo edhe skriptet (dispensat), aq sa për ta marrë një notë kaluese. Shumica nga ta lexojnë shumë pak letërsi. Nga gjithë kjo turmë studentësh, do të duhej që së paku t’i kishim një mijë lexues të letërsisë, pra blerës potencialë librash letrarë. Por, nuk i kemi. Arsyetimi që nuk kanë para mbytet lehtë në lëngun e kafeve të shumta që i pinë për çdo ditë të lume të Zotit. As arsyetimi që nuk kanë kohë nuk qëndron. Secili student/e mund t’i lexojë njëzet, tridhjetë, madje edhe pesëdhjetë faqe në ditë. Po mendoj, student/e që dëshiron ta zgjerojë shpirtin e mendjen e vet.
Nënkategoria e dytë janë lexuesit që kërkojnë letërsi popullore, të tipit të Coelhos, Danielle Steelit, Dan Brownit, e kështu me radhë. Kjo është letërsi argëtuese, e thurur me gjuhë të thjeshtë, me vijë fabulative të qartë, shpesh me një enigmë që ta mban kureshtjen zgjuar deri në fund, me personazhe që vuajnë tërë kohën, por në fund e gjejnë qetësinë apo ndriçimin shpirtëror; autori në këto romane shpesh e luan edhe rolin e këshilluesit psikologjik, është njëfarë psikologu letrar. Literatura e tillë i shkon përshtati shoqërisë konsumuese dhe prandaj shitjet e ekzemplarëve janë të mëdha. Por, si gjithçka që ka të bëjë me trendët, librat e tillë, me pak përjashtime, shumë shpejt harrohen. Sepse, shija popullore kërkon gjithmonë produktin e radhës.
Nënkategoria e tretë e lexuesve aktivë, janë lexuesit e thellë. Lexuesit e thellë kërkojnë diçka më tepër se argëtim. Ndonëse kënaqësia që jep teksti letrar është ndër esencat e letërsisë, ky tip i lexuesve nuk kërkon vetëm kënaqësi. Ky tip lexuesi, përveç letërsisë së madhe e të bukur (beletristikë), kërkon edhe literaturë filozofike, libra të mirë historikë, shkencorë etj. Mendoj se te ne, lexues aktivë të nënkategorisë së tretë mund të jenë disa qindra. Dhe, megjithatë, sado që nuk jemi të kënaqur, mendoj se nuk janë pak. Do të mund të ishin disa dhjetëra!
Pra, pasi e shpërndamë lexuesin në dy kategori kryesore dhe në disa nënkategori, mund të arrijmë në përfundimin se në Kosovë ka lexues, por ende nuk ka normalitet të leximit. Prandaj, nuk ka as dukuri të leximit dhe natyrisht nuk ka as krizë të leximit. Do të doja të kishte krizë të leximit, ngase krizat edhe përfundojnë.
Për fund, një konstatim! Pa u stabilizuar sistemi arsimor, pa e nxjerr këtë sistem nga dhoma e kujdesit intensiv, normalitet të leximit nuk do të ketë kurrë. Në sistemet normale arsimore, ta zëmë angleze apo amerikane, nuk ka shanse që një nxënës të kapërcejë të gjitha nivelet, të regjistrohet në universitet dhe të mos e dijë kush është Shekspiri.
Sistemit tonë arsimor parauniversitar i ndodh që të lëshojnë “tufa” nxënësish të papërgatitur për shkollim superior, shpesh gjysmanalfabetë e analfabetë funksionalë dhe këta, duke mos gjetur punë dhe mundësi për ta realizuar veten, në mënyrë që t’i shtyjnë edhe nja tri apo katër vjet të jetës së tyre rinore, regjistrohen fare lehtë nëpër fakultete dhe madje nganjëherë edhe arrijnë të doktorojnë!
2015