Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Korçë-Maliq.
Aksidenti ka ndodhur vetëm pak metra larg kryqëzimit të fshatit Çiflig, ku nga përplasja e dy mjeteve janë plagosur 5 persona, 3 prej të cilëve të rinj.
Burime të siguruara nga vendi i ngjarjes thanë se njëri nga mjetet e përfshira në aksident ka qenë duke lëvizur nga Maliqi në drejtim të Korçës ndërkohë që mjeti tip “Benz” ku ndodheshin 3 të rinj po qarkullonte nga Korça në drejtim të Maliqit.
Sipas të njëjtit burim mjeti ku udhëtonin të rinjtë ka kryer një manovër të gabuar duke kaluar pa respektuar sinjalistikën rrugore nga krahu i djathtë në krahun e kundërt për të hyrë në një biznes në afërsi të aksit nacional.
Kjo lëvizje e papritur ka sjellë dhe përplasjen kokë me kokë të dy mjeteve.
Të pestë personat që kanë qenë në të dyja mjetet kanë përfunduar në spitalin e Korçës ku po marrin ndihmën mjekësore.