I ftuar në emisionin “Propaganda Live” në La7, aktori dhe regjisori i njohur italian, Roberto Benigni dënoi luftërat që po zhvillohen në botë, me referencë të veçantë konfliktin në Ukrainë, situatën në Palestinë dhe Gazë dhe tragjeditë në Detin Mesdhe, sipas “Il Messaggero”.
“Ata që vrasin fëmijë nuk janë njerëz”, tha Benigni në një thirrje të përzemërt drejtuar Evropës.
I ftuar në “Propaganda Live” në La7, Roberto Benigni bëri një apel intensiv kundër luftës, me fjalë të ashpra – drejtuar atyre që vazhdojnë të shkaktojnë vdekje, veçanërisht midis fëmijëve.
Aktori dhe regjisori i njohur italian, fituesi i çmimit “Oscar” foli për konfliktin në Gazë, luftën në Ukrainë dhe tragjeditë në Mesdhe.
“Nëse nuk e ndiejnë dhimbjen e botës, ata nuk janë njerëz”, tha Benigni në edicionin e djeshëm të “Propaganda Live”, në një fjalim të zjarrtë në skenë.
Ai foli për tragjedinë e luftës me një vrull të pazakontë, duke u përqendruar në vuajtjet e të vegjëlve: “Ata vrasin fëmijë, nuk janë burra!”, tha ai.
“Kur fëmijët luajnë dhe njëri prej tyre gërvishtet, ata ndalojnë. Por këtu ne vazhdojmë të vrasim. Është frikacakëri”, tha Benigni.
Gjithashtu, aktori italian bëri thirrje për paqe dhe përgjegjësi evropiane.
Benigni drejtoi gishtin nga BE-ja, duke theksuar mungesën e një “Bashkimi të vërtetë Evropian” i cili, sipas tij, mund të kishte ndihmuar në adresimin dhe parandalimin e konflikteve.
“Nuk ka një Bashkim të vërtetë, vërtet të bashkuar. Nëse do të kishte pasur, ndoshta disa luftëra mund të ishin shmangur”, tha ai.
Aktori kujtoi gjithashtu fjalët e Joe Biden, i cili pas 7 tetorit 2023, i kishte kërkuar Izraelit të mos i përgjigjej tmerrit me më shumë tmerr.
“Fjalë qe kanë mbetur të padëgjuara”, tha Benigni.
Apeli i tij ishte gjithashtu një ftesë për të rizbuluar frymën e “Manifestit Ventotene” dhe ëndrrën evropiane si një projekt paqeje dhe demokracie.
“Ne jemi të gjithë i njëjti trup”, tha Benigni, duke iu referuar luftërave në Gazë, Ukrainë dhe vdekjeve në Detin Mesdhe në një apel global.
“Nuk mund të heshtim përballë kësaj dhimbjeje”, tha ai.
Thirrja e tij ishte “një britmë” që i kalon kufijtë – drejtuar jo vetëm udhëheqësve politikë, por edhe qytetarëve, në mënyrë që ata të mos mësohen me tmerrin.
Fituesi i çmimit “Oscar” e përfundoi monologun me një mesazh për të rinjtë, brezit të parë transnacional në histori – duke i ftuar ata të mbronin paqen dhe të mos harronin fuqinë e lirisë.