Irani nuk ka “mik për kokë” – ANALIZA nga Indrit Vokshi

spot_img
Advertisements

Në dokumentet që u bënë “leaks” dikur në kohën e sekretares Clinton, gjeneralët izrealitë kishin thënë mbi programi bërthamor të Iranit se nuk kemi frikë se Irani i përdor armët bërthamore kundër Izraelit por, duke pasur Irani armë bërthamore, Izraeli dhe të tjerët nuk munden ta sulmojnë më Iranin.

Disa vende kanë armë bërthamore, përfshi Pakistanin dhe Indinë, ama armët bërthamore nuk përdoren kollaj, ato thjesht i garantojnë më shumë siguri vendit që i posedon, pasi atë vend nuk e sulmon kush për kollaj.

Armët bërthamore i janë lejuar Pakistanit në kohën e Zulfikar Ali Buto e Zija Ul-Hak. Shteti i Iranit ka qenë historikisht ku e ku, shtet më prestigjoz se Pakistani. Thjesht Irani si perandori historike ka ambicie ekspansioniste politikisht e kulturalisht dhe nuk i lejon kush armë bërthamore. Siç nuk ia lejojnë as Turqisë edhe pse vend i NATO. As Gjermanisë e cila së bashku me Turqinë e Japoninë konsiderohen “vende të mposhtura” në dy luftrat botërore.

Këto propagandat me financim terrorizmi e m’the t’thashë, janë ushqim me hormone. Al-Kudsi i Iranit ska bërë asgjë më shumë se Legjioni i Huaj Francez në Afrikë apo se Vagneri Rus po në Afrikë, ta zëmë. Apo se kompanitë private amerikane të luftës të cilat nisen në fronte ku shteti nuk do të marrë përgjegjësi.

E gjitha kjo ndodh për të mos lejuar Iranin të mbrohet me armë bërthamore, jo se Irani do të godasë Izraelin me armë bërthamore.. sepse nuk mundet, është e paimagjinueshme, do të prodhonte pasoja katastrofike për vetë Iranin dhe ekzistencën e tij.

Thjesht Irani është shtet historik, shtet i cili ndër shekuj ka krijuar e formatuar identitetin e vet dallues, sikurse tani zhvillon ambiciet. Psh edhe kur u bënë muslimanë, shiiat ishin minoritet i papërfillshëm. Dinastia Safavide mori ritin e shiia dhe e masivizoi duke e bërë fe zyrtare, vetëm e vetëm që populli i Iranit të mos e kishte qendrën shpirtërore në Stamboll, ngaqë duke qenë suni, do kishin shpirtin e kokën nga Shehj Ul Islami në Stamboll dhe kësisoji dinastia Safavide do të ishte shumë e dobët përballë Stambollit. Siç ka sot armik Tel Avivin, Irani ka pasur armik dikur Stambollin. Duke projektuar hegjemoni, duke qenë shtet historik e i natyrshëm i pakrijuar nga askush, Irani është vetëm.

Nga ana tjetër Izraeli është ndër të tjera ekstension i Britanisë e ShBA-ve. Sapo Izraeli sulmoi Iranin erdhi deklarata nga Donald Trump i cili tha se Iranit ia kishte dhënë mundësinë për marrëveshje por ata nuk deshën – pra Trump e mori përsipër autorësinë e sulmit mbi Iranin. Të gjykosh Izraelin si realitet autonom e sovran është gjykim i tepruar dhe i pabazë. Ata 400 milion muslimanë që u rrinë urtë 7 milion izraelitëve nuk iu rrinë izraelitëve por ShBA-ve. Pa dyshim edhe në ketë konflikt Izrael-Iran, rrjetet sociale janë të mbushur me tifozë.

Të kuptuarit nuk është çështje tifozerie.

Latest articles

Related articles