Roli i Mossadit, shërbimit sekret të Izraelit duket se ka qenë vendimtar në sulmin e sotëm ndaj Iranit që synonte objektet ushtarake dhe bërthamore të Teheranit.
Sipas një raporti në Times of Israel, Tel Avivi ishte përgatitur për këtë sulm prej vitesh, me Mossadin që mori përsipër – dhe arriti – të ngrinte një bazë të tërë sekrete dronësh në tokën iraniane.
Sipas raportit, agjentët e Mossadit ngritën një bazë dronësh pranë Teheranit, me UAV-të që u aktivizuan gjatë natës nga e enjtja në të premte.
Dronët, sipas zyrtarit të cituar nga Times of Israel, kishin në shënjestër lëshuesit e raketave tokë-tokë iraniane që synonin Izraelin.
Përveç bazës sekrete, agjentët izraelitë thuhet se arritën të kontrabandonin sisteme armësh në territorin iranian që u përdorën për të neutralizuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Teheranit.
Në këtë mënyrë, avionëve luftarakë të Forcave Ajrore Izraelite iu dha hapësira, koha dhe liria për të vepruar në Iran. Pjesa e tretë e operacionit të Mossadit ishte vendosja e raketave precize pranë zonave me sisteme armësh kundërajrore në Iranin qendror.
Siç thanë në mënyrë karakteristike zyrtarët e cituar nga Times of Israel, këto operacione bazoheshin në “mendim pionier, planifikim të guximshëm dhe zbatim kirurgjikal të teknologjive të përparuara, forcave speciale dhe agjentëve që vepronin në zemër të Iranit, duke shmangur plotësisht vështrimin e shërbimeve lokale të inteligjencës”.
Operacionet e mëparshme të Mossadit në tokën iraniane. Nga ana e saj, Jerusalem Post dokumenton të gjitha operacionet e Mossadit në tokën iraniane.
Shërbimi sekret izraelit mori pjesë në aspekte të sulmeve të Izraelit në prill 2024 dhe tetor 2024, në sekuestrimin e dosjeve bërthamore të Iranit në vitin 2018, në shkatërrimin e mbi 100 dronëve iranianë në shkurt 2022.
Irani gjithashtu ka akuzuar Mossadin për shkatërrimin e dy objekteve të ndara bërthamore në Natanz në korrik 2020 dhe prill 2021, si dhe në Karaj në qershor 2021, dhe në vrasjen e kreut të programit bërthamor të Teheranit, Mohsen Fakhrizadeh, në nëntor 2020