Lavdrim Lita është themelues i Faktor.al, një media online e krijuar para 8 vitesh, e cila sot gëzon një pozicion të konsoliduar në treg si një platformë inovative dhe e ndjekur nga qindra mijëra lexues.
Me mbi 15 vite përvojë në gazetari, politikë, komunikim strategjik dhe çështje sigurie, Lita ka ndërtuar një profil të spikatur si analist dhe profesionist i komunikimit publik. Ai është i diplomuar me dy tituj Master, në Studime të Avancuara Europiane dhe në Gjuhë / Përkthim / Interpretim me fokus në Gazetari, si dhe është alumn i Naval Postgraduate School në Monterey, Kaliforni.
Gjatë karrierës së tij, ka mbajtur pozicione të rëndësishme në administratën publike dhe median e pavarur: ka shërbyer si Këshilltar i Lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, këshilltar pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Drejtor i Drejtorisë së Botimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe Menaxher Komunikimi në Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Ka qenë gjithashtu strateg elektoral në disa fushata politike dhe gazetar i pavarur në media të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë intervistë për KDP, Lavdrim Lita ndan këndvështrimet e tij për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, ndikimin e politikës ndërkombëtare dhe sfidat e sigurisë në rajon.
KDP: Ku po shkon Ballkani Perëndimor – drejt BE apo Lindjes?
Lavdrim Lita: Të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor në programin qeverisës kanë objektiv integrimin europian. Kemi të bëjmë me 6 vende që gjithësej janë 15 milion banorë. Padyshim partitë mazhoritare në këto vende janë disa me kokë nga Perëndimi dhe me zemër nga Lindja, ose anasjelltas. Kemi Serbinë që kokën e ka nga BE dhe zemrën nga Rusia. Kemi Shqipërinë që kokën e ka nga Lindja dhe zemrën nga Perëndimi. Kemi Maqedoninë e Veriut që koka është në luftë me zemrën për t’i mbajtur nga Perëndimi ose nga Lindja. Bosnja-Hercegovina ka forcat të jashtme që nuk lënë rehat as kokën e as zemrën. Ndërsa Kosova është e trullosur nga koka, e sanksionuar nga BE dhe me ngërçe në trupin e saj, siç pamë rastin e Banjskës. Mali i Zi është një vend pa ngjarje, çka është vendi që duhet vëzhguar më shumë nga pikëpamja e sigurisë.
KDP: Çfarë impakti do të ketë zgjedhja e Trump në Ballkanin Perëndimor?
Lavdrim Lita: Mendoj që Trump nuk e ka në axhendë Ballkanin Perëndimor për momentin, sepse tryeza e tij e punës ka dosje më të nxehta: Ukraina, Gaza, tarifat si pjesë e luftës tregtare me Kinën, BE, etj. Raportet e inteligjencës së SHBA nuk kanë asnjë rresht për rajonin tonë për tryezën e presidentit Trump. Në Shqipëri ka 4 vite pa ambasador të SHBA dhe pa ambasador është edhe Kosova. Deklaratat e SHBA për zgjedhjet në Shqipëri dhe Kosovë ishin të thata dhe reflektonin monotoninë e palëve politike. Mendoj që kur të caktojnë ambasadorët do të kuptojmë nëse do të jenë njerëz politikë nga rrethi i Trump apo diplomatë karriere nga DASH. Dy njerëz pyet Trump për rajonin tonë, nëse i duhet: kryeministren italiane G. Meloni dhe kryeministrin e Hungarisë, V. Orban.
KDP: A po bëhet e djathta më e djathtë në shumë vende të Europës Perëndimore?
Lavdrim Lita: Po, emigracioni i pakontrolluar dhe lufta në Ukrainë kanë lodhur qytetarët e shumë vendeve të BE për shkak se po financojnë me taksat e tyre dy vrima të zeza që marrin të gjitha energjitë politike. Dhe natyra e vrimave të zeza është që sa më shumë energji marrin aq më shumë zgjerohen dhe sa më shumë zgjerohen aq më shumë duan energji. Qeveria italiane e djathtë me pëlqyeshmëri të lartë publike nuk ka bërë asnjë reformë thelbësore. Premtimet për emigracionin kanë dështuar. Lufta në Ukrainë vazhdon pa një vision diplomacie europiane. Qeveria e re gjermane premton shumë, por ekonomia e saj ka nevojë për punëtorë të kualifikuar për të mbajtur lart standardin e jetesës. Qeveritë e tjera kopjojnë njëra-tjetrën si pasojë. Buxhetet e mbrojtjes do të kërkojnë sakrifica në shkurtime, çka do të sjellë reagime populiste.
KDP: Sa mund të ndikojë rritja e partive të djathta në Europë në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE?
Lavdrim Lita: Mendoj që BE është e vonuar në integrimin brenda saj të 15 milion banorëve të mbetur jashtë. Kur BE vendosi integrimin e Rumanisë dhe Bullgarisë e dinin shumë mirë që këto vende nuk ishin gati për t’u integruar, ashtu siç nuk kishte qenë më parë Greqia, e cila falsifikonte statistikat e saj. Partitë e djathta qeverisëse në vendet e BE nuk kanë asnjë problem thelbësor me emigracionin e vendeve të rajonit tonë, por me emigracionin nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme. Duhet një akt i fortë lidershipi për të marrë vendime strategjike.
KDP: Si e komentoni armatosjen e Evropës – a mund të jetë një impuls për një kontekst të ri gjeostrategjik?
Lavdrim Lita: Paqja është e kërcënuar nga agresioni rus ndaj fqinjëve të saj. Arkitektura e sigurisë në Europë po pëson ndryshime dinamike. Armatosja në thelb ka dy qëllime: e para është demotivimi i armiqve për të sulmuar dhe e dyta është për të qenë gati për akte ofensive ose defensive. SHBA kërkon që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen duke ditur që shumë vende të BE i kanë dhuruar Ukrainës stoqet e armatimeve të viteve ’80-’90, duke zbrazur depot. SHBA kërkon që vendet e NATO-s të blejnë sisteme amerikane. Vende të tjera të BE kanë industri ushtarake të kufizuar në krahasim me Rusinë, Kinën dhe Iranin. Në rajonin tonë ka vende si Serbia që ka disa vite që shpenzon formalisht 1 miliard euro në armatime. Kjo ka bërë që vendet e rajonit të marrin masa demotivimi duke u armatosur në mënyrë të mençur dhe jo si dikur me stoqe të mëdha dhe të papërdorshme në kohë. NATO mbetet garancia e vetme aktive e paqes në rajon. Është detyrë e diplomacisë që të ndihmojë paqen.