Dy sulmet e Ukrainës, a janë një faturë amerikane për Putinin? – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Dy operacionet e suksesshme të forcave të inteligjencës dhe sigurisë së Ukrainës ndaj Rusisë në harkun e 72 orëve, është e vështirë të thuhet se vendosin plotësisht fatin e luftës mes Moskës dhe Kievit, por padyshim sot mund të konstatohet se të paktën perceptimi europian dhe botëror për duelin ushtarak mbi trevjeçar ka ndryshuar.

Rusia shihet gjithnjë e më shumë e goditur, pa ide dhe e plagosur pikërisht në sedrën e sëmurë të madhështisë dhe superioritetit ushtarak ndaj fqinjëve shumë më të vegjël të Ukrainës. Në krahun tjetër Kievi, i vetëdijshëm për raportin e forcave në terren dhe rëndësinë vitale të mbështetjes nga aleatët europianë e amerikanë, duket se ka investuar energji te zgjidhjet e zgjuara, operacionet e piketuara nga ku merret maksimumi i mundshëm, si në goditje ushtarake, ashtu dhe në ndihmë ndërkombëtare.

Pikërisht asistenca ndërkombëtare, e dukshme dhe e padukshme, është tashmë pika më e diskutuar e konfliktit ruso-ukrainas për peshën që mund të ketë në rrjedhën e ngjarjeve dhe zgjidhjes finale. Europianët kanë qenë së fundmi më direkt në mbështetjen e tyre, por problemet e kontinentit të vjetër janë aty prej vitesh e dekadash dhe nuk do të zgjidhen në një javë, as vetëm nga një ndryshim në Kancelarinë e Berlinit.

Matanë Atlantikut, dilema të shumta ka patur për rolin amerikan në zgjidhjen e krizës dhe marrëdhënien Trump-Zelenski. E nisur jo mirë, marrëdhënia Uashington-Kiev arriti gjendjen më të keqe me sherrin e famshën në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Në atë pikë, Zelenski ishte njeriu jo i gatshëm për paqe dhe Putin në Kremlin rriste kreditet, jo si pushtues, por si politikan që mund të shkonte drejt pushimit të luftës.

Prej atëherë gjërat ndryshuan dhe pas 2 takimeve të Zelenskit në Vatikan dhe Romë, fillimisht me Trump e më pas me Vance, panorama ishte krejt tjetër. Kulmi mbërriti me deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë një javë më parë, ku kreu i Kremlinit qortohej ashpër për bombardime teksa synohej paqja. Paralelisht Turqia nisi 2 raunde bisedimesh, ndërsa Ukraina kreu dy operacione ekzemplare, të vështira dhe të kushtueshme.

A kishte pas tyre një karikim amerikan për t’i thënë me forcë e fakte “djalit në Moskë” se po gabonte? A ishte koha e shkopit ndaj Putinit për të rritur shanset e suksesit në paqen e kërkuar në sofrën turke? A do të ndalen gjërat këtu, nëse rusët nuk reagojnë si duhet? Dilemat mbeten ende pa përgjigje të plota, por njollat e një strategjie amerikane krejt tjetër në kërkim të paqes janë shumë të dukshme.

Elton Metaj, 03.06.2025

Latest articles

Related articles