Prokuroria e Posaçme dhe policia finlandeze kanë kryer një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, duke arrestuar 11 persona. Nga SPAK janë publikuar me iniciale: Dorjan Luzaj, Geraldo Seferaj, Elton Myftari, Elton Tavani, Erind Teneqexhiu alias Agalliu, Kela Qevani, Ledion Hoxha, Besnik Sparta dhe Altin Musta.
Hetimi zbuloi katër grupe kriminale të përbëra kryesisht nga shqiptarë, të cilët dyshohen se trafikonin sasi të mëdha droge amfetaminë, kanabis, kokainë dhe ekstazi nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës. Droga shpërndahej përmes një rrjeti të mirëorganizuar shpërndarësish.
Hetimi nisi pas një kërkese nga policia finlandeze në qershor 2023, dhe u krijua një skuadër e përbashkët hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze në nëntor të të njëjtit vit. Për më shumë se një vit, u përdorën metoda speciale hetimore si përgjimet telefonike dhe filmimet e fshehta për mbledhjen e provave.
Gjatë operacionit u sekuestruan 8 automjete, 13 telefona celularë dhe dokumente të ndryshme, ndërsa hetimi u mbështet nga Komisioni Europian dhe Drejtoria Italiane Antimafia.