Nga New Jersey, me uniformë amerikane e zemër shqiptare

spot_img
Advertisements

Një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë, Defender Europe 25, nisi disa ditë më parë në Shqipëri.

Ndërkohë, sot, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka ndarë historinë e kapitenes Hatixhe Çollaku, me uniformë amerikane, por me prejardhje shqiptare duke e konsideruar një krenari të dyfishtë.

Vengu u shpreh se kapitene Çollaku ndan “përvojën e saj frymëzuese gjatë Defender Europe ’25, ku bashkëpunimi me Forcat e Armatosura të Shqipërisë është për të jo vetëm mision, por edhe kthim në rrënjë”.Nga ana tjetër, Çollaku shprehet se është pjesë e Forcave Kombëtare të Neë Jersey-t në Amerikë, por është me origjinë nga Peshkopia.

“Kam ikur në Amerikë në vitin 1999 me familjen me lotari. Familja nuk donte që të harroja as kulturën, as gjuhën dhe jemi kthyer çdo verë për pushime këtu. Por, pasi u futa në ushtrinë amerikane kam ardhur edhe me misione në Shqipëri. Kam pasur babanë në ushtri në Shqipëri dhe më ka pas pëlqyer gjithmonë ushtria”, tregon ajo.

Më tej shton se , “pasi nisa universitetin, ushtria më dha një mundësi që të paguaja shkollën katër vite dhe kur u bëra oficere qëndrova sepse më pëlqeu shumë mundësia që të falënderoja shtetin ku jetoj, por edhe vendin ku kam lindur. Pra, jam e lidhur nga të dyja anët”.Shqipëria ka qenë në vëmendjen e aleancës ushtarake më të madhe në botë, duke u kthyer në një nga skenat kryesore të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 25”.

“Fakti që më pëlqen të punoj me ushtrinë shqiptare është një ushtrim multinacional, pasi ka ushtri në çdo lloj vendi të Ballkanit, Evropës dhe kur janë këto mundësi jashtë shtetit, për mua është diçka e mirë”, vijoi ajo.

Krahas Kosovës, ku gjithashtu u zhvilluan faza të rëndësishme të manovrës, vendi ynë priti qindra trupa të NATO-s dhe partnerëve të saj, të cilët simuluan operacione mbrojtëse dhe sulmuese, testuan ndërveprueshmërinë në terren.

Stërvitja, e udhëhequr nga Komanda Evropiane e SHBA-ve (USEUCOM), është ndër më të mëdhatë e organizuara ndonjëherë në rajon dhe vjen në një moment me rëndësi të veçantë për stabilitetin në krahun lindor të Evropës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një deklarate në rrjetet sociale, pati konfirmuar se Shqipëria mirëpret zyrtarisht këtë stërvitje madhore më 25 maj, duke theksuar se bëhet fjalë për “një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe”, e drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).

“Forcat e NATO-s dhe partnere po stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi,” u shpreh ministri Vengu, duke e cilësuar këtë një test të ndërveprueshmërisë dhe një mesazh të qartë se NATO është e bashkuar.

Asetet dhe ushtarakët amerikanë kanë filluar të vendosen në Evropë për Defender 25 – vendosja më e madhe vjetore e Ushtrisë Amerikane në teatrin evropian.

Stërvitja në shkallë të gjerë e Ushtrisë Amerikane teston se sa shpejt dhe në mënyrë efektive trupat amerikane mund të vendosen në Evropë dhe të mbrojnë Krahun Lindor me Aleatët dhe partnerët e NATO-s, informon Ushtria Amerikane për Evropën dhe Afrikën në një njoftim për shtyp.

Qëllimi është të demonstrohet aftësia e ushtrisë amerikane për të dërguar forca në distanca të gjata, për të mbajtur operacione dhe për të mbështetur Aleatët e saj nga Arktiku në rajonet e Mesdheut dhe Detit të Zi. Mbi 5 mijë trupa me bazë në SHBA gjenden në 18 vende të ndryshme të Evropës.

Pas mbërritjes në Evropë, forcat amerikane do të marrin pjesë në një seri ushtrimesh, që përfshijnë afërsisht 25 mijë anëtarë të shërbimit nga SHBA-të, Aleatët dhe partnerët.

Tre ushtrimet kryesore, ose fazat, përbëhen nga Sëift Response, Immediate Response (ku përfshihet Shqipëria) dhe Saber Guardian.

Latest articles

Related articles