Trafikim narkotikësh nga Shqipëria në Finlandë. Ky ishte aktiviteti i katër grupeve kriminale me drejtues shqiptarë që është shkatërruar falë bashkëpunimit mes Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion dhe autoriteteve finlandeze të drejtësisë.
Dy nga krerët e grupeve kriminale janë nga Vlora. Është zbuluar po ashtu se dy drejtuesit e tjerë të këtij grupi janë nga Kuçova e Berati, por me banim në kryeqytet.
Operacioni është zhvilluar 24 orët e fundit, ndërkohë që në pranga kanë rënë vetëm nëntë prej shqiptarëve.
Njëri nga ata që është shpallur në kërkim, dyshohet të jetë jashtë vendit.
Një nga personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, rezulton me profil jo kriminal, mësues historie në Shqipëri.
Kjo është hera e parë që një grup kriminal shqiptar ka në fokus trafikimin e drogërave sintetike.
Të 11 personat ndaj të cilëve është lëshuar masa e sigurimit janë shqiptarë, ku njëri prej tyre rezulton jashtë vendit. Ata rezultojnë të dënuar më parë në Finlandë.
Pse Altin Dumani mbeti i habitur nga ky detaj surprizues i grupit kriminal shqiptar që u godit sot
Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë konferencës për shtyp, ndau edhe një detaj që i ka bërë përshtypje.
“Ne na ka bërë përshtypje që ka grupe që kanë fokus dhe shitjen e drogërave sintetike. Deri tani kemi parë që ka patur kokainë, heroinë, marijuanë, është hera e parë që janë të fokusuar edhe te droga sintetike. Janë sasi të mëdha se janë droga sintetike, madje kemi kapur edhe ekstazi dhe të gjithë e dimë rrezikun që paraqesin për konsumatorin këto lloj drogërash”
Më tej, Dumani se “kokat” e grupit kriminal preferonin të drejtonin aktivitetin nga Shqipëria, ndërkohë që bazat ishin në Finlandë.
“Tipologjia është e tillë, kishin bazat e tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike dërgonin shqiptarë që shkonin në baza dhe fillonin me shitjen. Bashkëpunimi ka qenë shumë intensiv”, tha Dumani.