Gjatë një vizite zyrtare në Athinë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, u prit nga homologu i tij grek, George Gerapetritis, i cili bëri një deklaratë të papritur mbi prejardhjen e Hasanit.
Gerapetritis vlerësoi lartë aftësitë e ministrit shqiptar dhe theksoi se ai “flet gjuhën e arsyes evropiane, por edhe gjuhën greke, për shkak të prejardhjes së tij greke, të cilën sot e nderon”. Kjo deklaratë hedh dritë mbi një aspekt pak të njohur të biografisë së Hasanit.
Nga ana e tij, Hasani u ndal te lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve strategjike:
“Sot me mikun tim, afirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në një frymë miqësie, partneriteti dhe respekti të ndërsjellë.”
Vizita vjen në një moment ku të dy vendet janë të angazhuara për bashkëpunim më të ngushtë në kuadër të NATO-s dhe në rrugën drejt një Evrope më të bashkuar.