nga Sebastian Zonja
Një shprehje interesante që lexova në një ese për shpjegimin e ngjarjeve të ndërlikuara ishte – “it’s possible but not probable”. Mora të rilexoja Nasim Talebin mbi këtë temë. Autori i veprës “Mjelma e zezë” i referohet ngjarjeve të rralla, të paparashikueshme që kanë pasoja të mëdha, të cilat janë jashtë pritshmërive normale dhe shpjegohen vetëm pasi kanë ndodhur. Psikologët thonë se ne si qenie kemi prirje për t’i nënvlerësuar ngjarjet ekstreme, sepse mbështetemi më së shumti mbi modelet me anë të të cilave shpjegojmë të shkuarën duke u munduar të kuptojmë të ardhmen.
Për shembull, kriza financiare globale e vitit 2008 (falimentimi i “Lehman Brothers” dhe rënia e bursave) erdhi si surprizë për shumicën e ekonomistëve dhe investitorëve. Instrumentet financiare – obligacionet me garanci hipotekore dhe derivatet – kishin akumuluar rrezik të madh, ndërkohë modelet tradicionale nuk arritën ta kapnin. Por pati prej atyre ekonomistëve periferikë (të interesuarit mund të shohin filmin “Big Short”), të cilët thanë se sistemi financiar ishte i brishtë dhe do shembej një ditë nën stresin që po akumulonte.
Askush s’i dëgjoi.
Një tjetër shembull është pandemia e COVID-19-ës. Edhe në këtë rast, ekspertët e fushës askush s’i dëgjoi dhe pasojat e krizës së shumëfishtë u fshehën nën petkun e teorive konspirative, të cilat besoj se kanë pasur interes pushtetarët që t’i shpërndajnë. Shumë ekspertë të shëndetit publik kishin paralajmëruar për mundësinë e ndonjë shpërthimi pandemik global.
Askush s’i dëgjoi.
Sapo pandemia mbërriti, shkalla, shpejtësia dhe ndikimi i virusit befasoi shumicën e qeverive dhe institucioneve shtetërore. U ndërprenë zinxhirët globalë të furnizimit, ekonomitë dhe sistemet shëndetësore u vunë nën stres të madh, duke treguar se një ngjarje e papritur mund të përmbysë shoqërinë moderne siç e njohim. COVID-19 ishte një “Black Swan”.
Teoria e “Mjelmës së zezë” na shërben si kuadër paralajmërues për të kuptuar dhe për t’u përgatitur për pasiguritë sistemike, duke nxjerrë në pah kufizimet e dijes sonë.
Në realitetin shqiptar kuptojmë se janë shtuar zërat për një krizë të mundshme në ndërtim. Pavarësisht se ka paralajmërime serioze, sërish kryeministri s’e bën qejfin qeder. Janë interesa të mëdha oligarkike që e shtyjnë përpara këtë sektor. Pikërisht kjo mendjelehtësi e qeverisë aktuale mund ta marrë më qafë. Se kur do ta marrë në qafë këtë qeveri një situatë e ngjashme me “Mjelmën e zezë” nuk e di askush. Por ajo që dimë me një lloj sigurie është se sistemi financiar mbi të cilin mbahet sektori është i brishtë dhe po vihet nën stres me kalimin e kohës prej dy faktorëve – bllokimi i parave gri nga ana e strukturave të drejtësisë dhe fryrja e çmimeve, të cilat janë të papërballueshme për shtresën e mesme në vend.