STUDIMI: Duhanpirja është shkaku kryesor i 7 tumoreve në vend

spot_img
Advertisements

Duhanpirja është shkaku kryesor i 7 tumoreve dhe vdekjeve prej tyre. Sipas të dhënave botërore kanceret me përqindjen më të lartë të dëmit nga duhani janë ai i mushkërive me 90%, ai i Laringut me 90%, Faringut dhe Ezofagut me 80%, zgavrës së gojës dhe buzës dhe fshikëzës urinare me 70%.

“Tumoret më të shpeshta të shkaktuara nga duhani janë ai i mushkërive ku në 90% të rasteve shkaktar është duhanpirja. Më pas vjen kanceri i kokë-qafës ku futet ai i laringut, faringut, ezofagut, gojës e buzës me rreth 85% të rasteve nga duhani e më pas kanceri i fshikëzës urinare dhe pankreasit përkatësisht 70% dhe 50%”, tha onkologu Sotiraq Senjo.

Një studim i kryer nga onkologu Sotiraq Senjo, prezantuar në kongresin e fundit të Onkologjisë që u mbajt në Tiranë, bazuar në përqindjen e shkaktimit të kancerit nga duhani dhe rasteve të raportuara nga ISHP për vitin 2023, 1300 vdekje mund të evitoheshin nëse nuk do të përdorej duhani.

Një strategji kombëtare për depistim të hershëm përmes skanerit me dozë të ulët tek duhanpirësit disavjeçar, ul sipas onkologut me rreth 20% vdekjet e parakohshme.

“Është shumë e rëndësishme të ngrihet një strategji kombëtare për duhanpirësit 10-20 vjeçar, të cilët janë edhe më të rrezikuarit, për të kryer tek ata një skaner më dozë të ulët që të mund të kapim tumoret në faza të hershme dhe kurohet me kosto të ulët. Kjo ndodh në shumë vende të Europës. Pas kësaj ndërhyrje është parë që vdekjet nga kanceri ulen me 20%. Në Shqipëri nga përllogaritja e rasteve që referon ISHP, rreth 1300 vdekje mund të evitoheshin nëse nuk do përdorej duhani”, u shpreh onkologu Senjo.

Në Shqipëri përllogaritet që rreth 38% e popullatës të jetë duhanpirëse. Ajo që është alarmante është numri në rritje i të rinjve për të cilët mjekët parashikojnë dëme të mëdha shëndetësore brenda një dekade. Është parashikuar që deri në vitin 2030 tumoret të rriten me 60% kundrejt 2020 pikërisht nga duhani.

Latest articles

Related articles