“Udhëkryq mes demokracisë dhe autokracisë”. Kështu e cilëson kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti situatën në të cilën ndodhet vendi pas zgjedhjeve të 11 Majit. Në një intervistë për A2 CNN, Alimehmeti, i cili është një prej kandidatëve më të votuar por që nuk arriti që të merrte një mandat në Kuvend, shpjegon përse kërkoi rinumërim të votave. Teksa denoncon se KQZ i vonoi dhënien e pamjeve filmike për të konstatuar parregullsitë në numërim, shton se sërish ka evidentuar problematika.
“Vota është votë, qytetarët kanë dhënë votën për një kandidat apo një kandidat tjetër, një parti apo një parti tjetër. Kjo duhet lexuar ashtu siç është, është e pamundur në 2025 të mos të dimë të numërojmë votat. A mund të numërojmë siç duhet këto vota? Kjo është çështje parimore”, u shpreh Ilir Alimehmeti.
Në dokumentin e dorëzuar në KQZ që u rrëzua nga KAS pasi PD nuk kishte dhënë miratimin për ankesën, Alimehmeti ngre pretendime se shumë vota preferenciale për të janë numëruar për kandidatë të tjerë, por sërish pohon se luftën nuk e ka me askënd por kërkon të vendosë drejtësi.
“Nuk ka lidhje me një individ apo me një parti të caktuar e më radhë. Kjo ka të bëjë me parimin bazë, vota duhet të shkojë atje ku meriton dhe haku duhet të shkojë tek ai që e ka marrë atë votë”, i tha ai A2 CNN.
Në radhët e demokratëve ende nuk shihet dëshira për të reflektuar mbi votën, por Alimehmeti tregon se analiza e brendshme është e domosdoshme për të mos përsëritur gabimet.
“Absolutisht ka gjithmonë nevojë për analizë, ka nevojë të shihet se çfarë funksionoi dhe çfarë nuk funksionoi, në mënyrë që gjërat të bëhet edhe më mirë. Për shumë veta procesi ka përfunduar, por për një numër të vogël njerëzish ne jemi ende në proces, kështu që kur të mbarojë do kemi edhe këtë analizë të plotë, ndaj këto pamje duhen edhe për analizë të brendshme, që të kuptohet se çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë keq. Në mënyrë që të shkosh në mënyrë më të duhur në zgjedhjet e ardhshme, se zgjedhje të tjera do këtë prapë, e rëndësishme është që gabimet të mos përsëriten” deklaroi ai për A2 CNN.
Ilir Alimehmeti pohon se zgjedhjet u dëmtuan edhe nga sistemi elektoral, që sipas tij ka shkëputur lidhjen mes votuesit dhe të zgjedhurve.