Deputeti jetëgjatë i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i zgjedhur rishtaz që nga viti 1996, u shpreh se dashje pa dashje pas fitores bëhesh arrogant.
Për këtë arsye, Braçe u shpreh në News24 gjithashtu se PS duhet të ndryshojë veten në katër vitet e ardhshme qeverisje, të ketë një qasje që të jetë sa më afër në shërbim të njerëzve, duke dëgjuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve.
Ju si pozitë dhe PS, e patët më të lehtë për të fituar?
Erion Braçe: Problemi ynë nuk është opozita, jemi ne vetë. Nëse ne nuk korrigjohemi dhe nuk kemi një qasje të përulur, jo arrogante, në raport me njerëzit, sepse në disa raste jemi arrogantë, nuk mund të përmirësohemi.
Çfarë duhet të ndryshojë PS?
Erion Braçe: Veten. Pas 12 viteve në pushtet patjetër që është e domosdoshme të ndryshosh veten. Jo thjesht dhe vetëm si individë, sepse mund të ndryshosh deputetët apo drejtuesit e partisë në nivel qendror e lokal, mund të ndryshosh kryetarët e bashkive, gjithashtu edhe ministrat, por nuk ndryshon qasjen në raport me njerëzit. Ajo që duhet të ndryshojë është qasja. Arroganca duhet të shkojë në zero dhe përkushtimi duhet të shkojë në 100%.