nga Gloria Mollaj
Jemi prapë në dilemë. Çdo javë kemi ndonjë dilemë të re. Javën e kaluar kishim: Ku është dallimi i deklaratës së Ambasadës së SHBA-ve në zgjedhjet e 2021 me atë të 2025. Njëri thoshte “ishte më e gjatë”; tjetri thoshte “ishte më e plotë”. Këtë javë kemi, kush e bëri pula vezën apo veza pulën me salmonelë?!
Pyetje shumë e mundimshme kjo po do mundohemi ta lexojmë përmes deklaratës së tyre skandaloze lidhur me helmimin e fëmijëve në Gramsh:
- “Ferma dhe furnizuesi janë qelibar, salmonela është në ambientet e kopshtit.” — Pra, salmonela e ka marrë si ‘Airbnb’ kopshtin. Qartë.
- “Nuk kemi raste të tjera problematike.” — pra, nëse ke 19 fëmijë të helmuar bashkë me psikologen, nuk është problem i AKU-së, është i kuzhinës. Qartë qartë.
- “Mos bëni deklarata para se të përfundojë, se do shkojë në procedim penal.” — Po e drejtë, duhet zgjidhur dilema e mundimshme ku qe fshehur kjo salmonelë. Se po doli te veza del një tender tjetër, po doli te pula del Nesla SHPk, po doli te bulmeti na kap prej zverku baxhon e Nuriut, si dihet.
Thënë ndryshe…
“Punë me zarar. Dale ta mbarojnë gjurmimin, kush s’do na mbyllë dot gojën me lekë, ai do e hajë salmonelën. Ju të tjerët boll bëtë si të shqetësuar.”
Në fakt, AKU po përdor ligjin për ushqimin si armë për të ndaluar çdo kritikë, për të mbuluar paaftësinë e vet dhe për të shmangur përgjegjësinë. E megjithatë, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje bindëse për pyetjen më elementare: Si u kontaminua kopshti në fillim? Në ç’kushte ndodhi ky helmim?
Për mua, AKU në këtë rast nuk është kontrollues ushqimesh — është kontrollues i heshtjes dhe i injorancës së detyruar. E për më tepër si guxon të kërcënojë AKU-ja për “procedim penal” gjoja me argumentin e mospërhapjes së panikut, kur TI SI INSTITUCION KE KONTRIBUAR NË PËRHAPJEN E NJË VIRUSI?
Gjithsesi, dëgjohemi në kuizin e radhës nga AKU (Autoriteti i Kurioziteteve Urbane)! Deri atëherë, mbyllni dritaret se salmonela është si dallëndyshet, migron po dhe ndërton fole po i pëlqeu ambienti.