Britania realizoi fluturimin e saj të parë të një taksie fluturuese mbi rajonin Cotswolds. Avioni elektrik VX4, i zhvilluar nga kompania Vertical Aerospace me bazë në Bristol, fluturoi për herë të parë jashtë kushteve të kontrolluara të testimit.
I drejtuar nga piloti Simon Davies, fluturimi u krye pasi avioni mori miratimin e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe u ngrit nga pista e Aeroportit Cotswolds. Ky fluturim shënon një arritje të rëndësishme jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për Evropën, pasi është hera e parë që një taksi ajrore fluturon në hapësirë ajrore evropiane.
“Të çoja avionin përtej fushës së aviacionit dhe të fluturoja mbi Cotswolds për herë të parë ishte vërtet e veçantë dhe një moment i rëndësishëm në karrierën time”, u shpreh piloti Simon Davies.
VX4 është një avion elektrik me zero emetime, që ngjason me një helikopter dhe fluturon si një avion. Ai mund të transportojë një pilot dhe katër pasagjerë, me një rreze veprimi deri në 100 milje dhe shpejtësi deri në 240 km/orë.
Fluturimi i radhës i VX4 do të përqendrohet në demonstrimin e ngritjes dhe uljes vertikale, si dhe në kalimin nga qëndrimi pezull në fluturim të plotë. Qeveria britanike ka vendosur një objektiv ambicioz të bëjë taksitë ajrore një realitet të përditshëm deri në vitin 2028.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm drejt transportit ajror urban të qëndrueshëm, duke vendosur Mbretërinë e Bashkuar në krye të garës globale për të ardhmen e fluturimeve elektrike.