Opozitën madhështore nuk e bëri dot, por kombëtaren madhështore, edhe mundet.
Kryepensionisti i Shqipërisë, Selam Jenishehri pak ditë para ndeshjes ndaj Serbisë, i ka ofruar konsulencë falas trajnerit brazilian Sylvinho.
Kësaj radhe, jo politike, por futbollistike, një formulë magjike për të mposhtur serbët në Tiranë.
“Ngaqë kisha nxjerrë një lloj stërvitje për me aftësue futbollistat teknikisht e që me porosi të FSHF u eksperimentua dhe doli që ishte në nivel shumë më të lartë se ajo që publikonte FIFA dhe që e dini Juve.
Meqenëse ndeshja me Serbinë është e një rëndësie dhe politike e një rëndësie të veçantë dhe futbollistët shqiptarë që ju keni në dispozicion nuk kanë si ta dinë, po ju lutem të më jepni mundësinë të ju a ve në dispozicion futbollistëve (sidomos sulmues, por jo vetëm) që të bëj që 100% ndeshjen ta fitojmë me Serbinë.”
Jenishehri, ky talent jo dhe aq i ri në moshë, shfaqet si kryestateg futbollit që konkurron edhe FIFA-n.
“E kuptoj vështirësinë tuaj që ta besoni, por është një e vërtetë e madhe, që do ta shohësh vetë për 3–4 ditë futbollistët e fitojnë atë shprehi për ta ekzekutuar në lojë.”
Edhe më herët Jenishehri i ka ofruar konsulencë falas Silvinjos, në ndeshjen ndaj Ccekisë. Nuk dihet nëse braziliani ia mori në konsideratë këshillat, por çuditërisht Shqipëria fitoi 3-0 ndaj çekëve dhe shkoi në Europianin e Gjermanisë.
Silvinjo ndoshta duhet ta rishohë këtë ofertë dhe formulë, falas.
Ndoshta gjërat mund të kishin shkuar ndryshe, në fushë, me formulën magjike të kryepensionistit. Një shans që e dogji përgjithmonë, Por Jenishehri, nuk dorëzohet.