Evitimi i hatërmbetjeve ishte një prej mesazheve kryesore që Edi Rama kishte për ekipin socialist, sidomos ata që garuan por nuk arritën të fitonin një ulëse në Parlamentin e ardhshëm. Jo të gjithë e dëgjuan thirrjen e kryetarit, që e bëri të qartë se torta e pushtetit ka mundësi të ofrojë poste e rroga duke kënaqur të gjithë.
Mungesat ishin fare të pakta në organizimin e socialistëve te Pallati i Kongreseve, por kush shkëlqeu më shumë me mos-prezencën e tij ishte Pandeli Majko, i cili nuk arriti të triumfonte në zgjedhjet e 11 majit. Pak javë para zgjedhjeve, kryetari i partisë e zhvendosi Majkon nga Kukësi si drejtues politik ku mandatin do ta kishte pasur të sigurt, për ta kaluar në zonën e Kavajës si një kandidat i thjeshtë, territor elektoral të cilin socialistët e humbën në raport me PD.
Pandeli Majko nuk kishte asnjë përgjigje, duke vijuar të ndjekë strategjinë e heshtjes, ndonëse zgjedhjet e fundit i treguan se nuk rezulton me bereqet politik.
Në takim nuk ishte as ministri Arbjan Mazniku, i cili mungesën e kishte të arsyetuar për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.
Edhe Gjirokastra nuk ishte e plotë në pjesëmarrje, pasi ish-kryebashkiaku, Tërmet Peçi nuk festoi me kolegët e majtë dhe “Komandatin” zgjedhjen e tij si deputet.
Mimi Kodheli është një tjetër emër i njohur i socialistëve që nuk ishte e pranishme për të dëgjuar mesazhet e kryetarit. Shkak nuk duket të jetë mandati që nuk arriti të fitonte, pasi ish-ministrja e Mbrojtjes ndodhej jashtë vendit duke marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.