I larguar nga Shqipëria në moshën 8-vjeçare, Andi Shahu ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e mjekësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka punuar në disa nga institucionet më prestigjioze, si spitalet Johns Hopkins dhe Yale, ku ka fituar reputacion si kardiolog i talentuar dhe i përkushtuar.
I ftuar në emisionin “Vila 24” me gazetaren Anila Çela, Shahu rrëfeu rrugën e gjatë drejt suksesit, pasionin për mjekësinë dhe sfidat që ka përballuar. “Që i vogël kam dashur të bëhem mjek, pa ditur saktësisht pse. Më pas e kuptova që dëshiroja të ndihmoja njerëzit në momente të vështira, t’u ndryshoja jetën. Ky kombinim mes ndihmës dhe shkencës më tërhoqi gjithmonë,” tregoi ai.
Sa i përket një rikthimi të mundshëm në Shqipëri, Andi mbetet i rezervuar. “Kam ndërtuar jetën time në SHBA, por kthehem çdo dy vjet në atdhe. Kthimi mbetet gjithmonë një pikëpyetje,” tha mjeku shqiptar.
Ndërkohë, ai zbuloi edhe planet për të ardhmen. “Po përgatitem për një specializim të ri në kujdesin intensiv dhe në vitin 2026 do të filloj punë si kardiolog në SHBA,” deklaroi ai.
Historia e Andi Shahut është një shembull frymëzues i arritjeve që shqiptarët mund të realizojnë jashtë vendit, duke ruajtur një lidhje të fortë emocionale me atdheun.



