nga Abdulla Diku
Agim Noka nga Shishtaveci prej vitesh ka kontribuar me përkushtim dhe pasion në ruajtjen dhe rigjallërimin e biodiversitetit të zonës.
Në sajë të punës së tij të palodhur, është arritur një shtim domethënës i disa prej specieve më të rralla dhe të rëndësishme të florës sonë, siç është Bari i zemrës, ose bima e mbretit Gent (Gentiana lutea), mështekna (Betula pendula), si dhe lloje të tjera të mbrojtura me vlera të mëdha mjekësore, ekologjike dhe shkencore.
Ka kontribuar në mbjelljen e dhjetra hektarëve me Mështeknë dhe lloje të ndryshme halore. Në sajë të punës së tij, Shqipëria ka sipërfaqen më të madhe me Mështeknë pikërisht në Shishtavec.
Por ajo që e bën më të veçantë Agimin, është mjeshtëria e tij për mbjelljen e Barit të Zemrës apo bimës së Mbretit Gent (Gentiana lutea). Gentiana është një bimë shumë tekanjoze dhe delikate, por duket se Agimi ja ka gjetur anën dhe tani është pafyshim mjeshtri i padiskutueshëm i kësaj bime të rrallë dhe shumë kurative që kemi në trojet tona.
Nëse jeni të interesuar për ta patur në kopshtet apo vazot tuaja këtë bimë, Agimi ju vjen në ndihmë, ndaj mjafton ta porosisni në kohë. Ai mbledh farat e Gentianës në natyrë dhe i kultivon me sukses ato.
Ka kontribuar në mbjelljen e mijra fidanëve të kësaj bime në Shishtavec. Askush tjetër në Shqipëri e Kosovë nuk ka kaq eksperiencë e dorë të mbarë me Gentianën, por dhe Mështeknën.
Nuk i pëlqen workshopet e seminaret por vetëm puna me tokën.
Shqetesohet shumë për zjarret dhe erozionin, pasi ata pérbëjnë kërcënimin më të madh për natyrën e brishtë të Shishtavecit.
Sot Agimi përfaqëson një shembull frymëzues të qytetarisë aktive dhe të kujdesit për trashëgiminë natyrore. Kontributi i tij përbën një vlerë të çmuar për komunitetin dhe një model që meriton të ndiqet gjerësisht.
Në foto: Gentiana dhe Meshtekna

