Fundi i telefonave inteligjentë, që sot janë pjesë thelbësore e jetës së përditshme, duket se është afër. Këtë parashikim e bën Mark Zuckerberg. Sipas CEO-s së “Meta”, ata do të zëvendësohen për disa vite nga syzet me realitet të shtuar.
Zuckerberg prezantoi syzet e reja holografike “Meta Quest 3S”, me një çmim fillestar prej 299.99 dollarësh (më shumë se 260 euro). Kjo pajisje, sipas sipërmarrësit, do të shënojë fillimin e një epoke të re në ndërveprimin dixhital, duke kapërcyer varësinë aktuale nga telefonat.

“Telefonat janë të vegjël, shpërqendrojnë dhe të largojnë nga ndërveprimet ballë për ballë”, – tha Zuckerberg, duke theksuar se syzet e reja ofrojnë një përvojë më natyrale, më gjithëpërfshirëse dhe më të lidhur me ambientin real.
Ndryshe nga celularët që kërkojnë përqendrim të vazhdueshëm tek ekrani, “Meta Quest 3S” do t’iu mundësojë përdoruesve të ndërveprojnë me përmbajtje dixhitale vizualisht dhe në mënyrë akustike pa humbur kontaktin me botën reale.
Portabiliteti, lidhja direkte me internetin dhe aftësia për të mbivendosur elementë virtualë mbi ambientin fizik janë disa nga karakteristikat që përforcojnë vizionin e “Meta”. Edhe pse mund të duket si një ide futuristike, Zuckerberg u shpreh qartë për afatet: “Brenda 10 vitesh, shumë njerëz nuk do të mbajnë më me vete një telefon, do të përdorin syzet për gjithçka”.
E gjitha kjo nuk do të përfaqësonte vetëm një ndryshim në mënyrën se si komunikojnë njerëzit, por edhe një transformim të thellë në mënyrën se si aksesohen informacionet, përthithen përmbajtjet dhe zhvillohet ndërveprimi social.
Syzet, duke integruar funksione që aktualisht i kryejnë celularët, si mesazhet, navigimi, video-thirrjet dhe rrjetet sociale, pozicionohen si një alternativë që kombinon efikasitetin teknologjik me më shumë liri vizuale.