Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në Khan Younis, Gaza, ku një pediatre humbi nëntë nga dhjetë fëmijët e saj gjatë një sulmi ajror izraelit. Mjekja Alaa al-Najjar po punonte në spitalin “Nasser” kur ndodhi sulmi fatal.
Sipas deklaratave nga spitali, vetëm një fëmijë dhe bashkëshorti i saj mbijetuan, por me plagë serioze. Kirurgu britanik Graeme Groom, që punon në të njëjtin spital, bëri me dije se ka operuar djalin 11-vjeçar të mbijetuar. Sipas autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, shtëpia e familjes u godit pak minuta pasi bashkëshorti kishte kthyer nga dërgimi i mjekes në punë.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes kanë raportuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë goditur mbi 100 objektiva në Gaza, ndërsa Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi ka njoftuar për të paktën 74 viktima në të njëjtën periudhë.
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Dr. Muneer Alboursh, deklaroi se fëmija më i madh i familjes ishte vetëm 12 vjeç, ndërsa babai i fëmijëve është në gjendje shumë të rëndë. Një tjetër mjek, Youssef Abu al-Rish, tregoi momentet kur mjekja kërkonte me ankth lajme për fëmijën e saj të mbijetuar në sallën e operacionit.
“Na mjafton! Mëshironi popullin tonë! I bëjmë thirrje të gjitha vendeve, komunitetit ndërkombëtar dhe palëve në konflikt që të ndihmojnë. Jemi të lodhur nga uria dhe përplasjet, na mjafton!”, tha ai me lot në sy.