2025, më shumë taksa për biznesin e vogël! Janë marrë vendime të fshehta nga Bashkia

spot_img


Për vitin 2025, Bashkia e Tiranës vendosi të aplikojë rritje të taksave dhe tarifave vendore përmes një VKB me nr. 38, e datës 28.03.2024. Por përpos rritjes së taksave, ky institucion nuk është mjaftuar vetëm për vitin 2025, por ka shkaktuar një kaos, duke i dhënë fuqi kësaj rritjeje edhe për vitet që kanë kaluar, përkatësisht vitit 2024 apo 2023, duke vendosur kamata dhe gjoba bizneseve të cilat kanë paguar në kohë çdo detyrim.

Por si ka ndodhur kjo?

Vendimi ka pasur fuqi prapavepruese, sepse kjo taksë parapaguhet brenda muajit mars, ndërkohë që shumë biznese e kanë paguar këtë taksë vitin tjetër kalendarik. Pra, nëse kanë paguar 2023 në vitin 2024, ata janë penalizuar me kamatë për një taksë më të rritur, për të cilën nuk kanë pasur dijeni sepse nuk i ka dalë në sistem, dhe kjo është një kamatë e padrejtë, shpjegon gazetarja Ola Xama.

Një tjetër problematikë është se bizneset nuk janë njoftuar për çështjen e ndryshimit të taksave, duke u shkelur jo vetëm ligji për konsultimin publik, jo vetëm praktikat e mirëqeverisjes dhe standardeve, por edhe duke i penalizuar ata.

Taksa e pastrimit, rasti konkret i këtyre penaliteteve


Florjan Gjoka është avokat dhe jurist i çështjeve fiskale. Ai thotë se ka hasur një sërë rastesh të bizneseve të tilla që janë përballur pa të drejtë me gjoba dhe kamatëvonesa, me raste konkrete te taksa e pastrimit.

Supozojmë se shpallja e VKB Nr. 35, datë 28.03.2024, është bërë në të njëjtën ditë me miratimin e saj (dt. 28/03/2024). 10 ditë pas shpalljes është dt. 08/04/2024, pra kjo VKB nuk mund të hynte në fuqi para datës 08/04/2024, dhe absolutisht nuk mund të ketë efekte financiare prapavepruese për periudhën para datës 08/04/2024.

Por edhe për vitin 2024 (nga data 08/04/2024 – 31/12/2024) ndryshimi i tarifës së pastrimit nuk duhet të zbatohet, pasi tarifa e pastrimit është me bazë vjetore dhe jo me bazë mujore. Që të zbatohej për vitin 2024, duhej që ndryshimi i tarifës së pastrimit të miratohej para datës 01/01/2024.

Pra, duke qenë se VKB Nr. 35, datë 28.03.2024, rezulton të jetë miratuar në datën 28/03/2024, mund të zbatohet vetëm për vitin pasardhës, pra duke filluar nga data 01/01/2025.

Një biznes i vogël tha për Sinjalizo që askush nuk e kishte njoftuar për këto ndryshime, as përmes e-Albanias, e as përmes inspektorëve. I vetmi moment që është vënë në dijeni ka qenë kur i është dashur të paguajë dhe ka konstatuar që është gjobitur edhe pse ka paguar çdo detyrim me përpikëri.

Përballemi me mungesë punëtorësh, me luhatje xhiroje, punojmë çdo ditë nga 10 orë së bashku me tim shoq dhe kur shohim se si gjobitemi duke qenë shumë të rregullt, ndihemi të demotivuar, e mendoj që ndoshta janë më mirë ata që punojnë në të zezë.

Nga Denada Jushi

Latest articles

Related articles